Nxitja e turizmit, nënshkruhet marrëveshja me Bankën Botërore

13/12/2016 00:00

Është nënshkruar këtë të martë në Tiranë marrëveshja mes qeverisë shqiptare dhe Bankës Botërore për zhvillimin e integruar urban dhe turizmin.

“Sot mund të numërohen rreth 51 mijë të punësuar në sektorin e turizmit në 2015, shifrat për 2016 nuk kanë dalë. Pa diskutim mund të shkojmë në 250 mijë të punësuar në 2025. Objektivi ynë është që të jemi 100 mijë plus gjer në 2021, që jo rastësisht përkon dhe me mbylljen e mandatit të dytë qeverisës për të cilin askush nuk ka dyshim se do ta ushtrojmë me përgjegjësinë më të plotë”, deklaroi në këtë event kryeministri Edi Rama.

Këtë qeveria shqiptare synon ta realizojë duke investuar edhe më shumë në turizëm, duke ndërtuar “Unazën turistike të Jugut”.

Ndonëse shifrat e 2016-s ishin pozitive për numrin e turistëve që vizituan vendin tonë këtë sezon veror, kryeministri Rama tha se ka ende shumë për të bërë.

Për këtë, qeveria shqiptare nënshkroi një marrëveshje bashkëpunimi për zhvillimin urban dhe turizmin me Bankën Botërore.

“Turizmi pritet të jetë timoni i rritjes ekonomike për Shqipërinë në të ardhmen. Ky sektor kontribuon në 6% të PBB-së, por me lidhjet me sektorët e tjerë, kontributi i tij në ekonomi mund të jetë shumë më i madh”, deklaroi Ellen Goldstein, drejtoreshë e BB për Europën jug-lindore.

“Sot kemi një marrëveshje të re me bankën, kemi çelur një kapitull të ri. Projekti me Bankën Botërore do të prekë 2 qendra strategjike për qendrat kulturore si Gjirokastrën dhe Beratin, si dhe Sarandën si portë hyrëse për jugun. Në këtë projekt të fundit, qeveria shqiptare do të investojë më shumë se BB, duke bërë që për herë të parë kjo bankë të hyjë si një ‘Junior Partner’”, tha më tej Rama.

Banka Botërore do të investojë falë këtij projekti të ri 63.8 milionë euro, për zhvillimin urban dhe turizmin në 4 bashki në jug të vendit, Përmetin, Gjirokastrën, Vlorën e Sarandën, të cilat do të ndërlidhen edhe në infrastrukturë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB