Josa rikthehet në Korçë si kundërshtar

13/12/2016 00:00

Nuk ka të ndalur vrulli i fundvitit për Superligën shqiptare. Të mërkurën do të zhvillohen ndeshjet e javës së 16-të ku bie në sy një tjetër përballje e rëndësishme sa i përket kreut mes dy skuadrave që po kalojnë një moment jo shumë të mirë.

Tirana me një humbje dhe një barazim në ndeshjet e fundit e sheh veten në një lloj trysnie të cilën e pranon edhe vetë trajneri Mirel Josa, i cili në përballjen e parë me ish-skuadrën e tij Skëndërbeun, thekson se ka një ekip më të mirë se kampionët, nëse bardheblutë japin maksimumin.

“Është kënaqësi për mua të kthehem në Korçë si trajner i Tiranës. Kemi zhvilluar ndeshje spektakolare ne perballjet ndermjet dy ekipeve. Kemi punuar shume ne aspektin fizik. Skenderbeun e kam pare thuajse ne te giitha ndeshjet, nuk do të jetë çështja e fshehjes se njerit trajner nga tjetri. Futbolli është më tepër personalitet skuadre dhe duhet të jemi të qarte për personalitetin në fushën e lojës”, deklaroi Josa.

Në anën tjetër, Skëndërbeu bashkë me kreun ka humbur edhe rrugën e fitoreve. Tre barazimet e fundit e kanë zbritur në vendin e dytë pas Kukësit, por më shumë se kaq mungesa e golit i rëndon 6 herë radhazi kampionët e Shqipërisë.

Ndryshe nga perceptimi i jashtëm, Agostinelli shprehet i bindur se skuadra e tij është shumë mirë, psikologjikisht dhe fizikisht, ndërkohë që zhbllokimin e sulmuesve e pret ndaj Tiranës.

“Besoj se ne jemi mjaft mirë në aspektin fizik dhe psikologjik,. Na mungon goli, por shpresojmë të fillojmë të shënojmë prej kësaj ndeshje. Duhet të shohim në profilin e lojës, të intensitetit dhe vazhdimësisë Skënderbeun e ndeshjeve të fundit, por natyrshëm që duhet të finalizojmë rastet e krijuara, pasi në futboll ai që vlen është goli”, tha Andrea Agostinelli.

Gjithashtu të mërkurën do të ketë edhe përballje të tjera të rëndësishme, Partizani udhëton drejt Flamurtarit që është në një tjetër ritëm krahasuar me fillimin e kampionatit, ndërkohë që Kukësi luan sërish në fushën e tij, por këtë herë me Korabin që “Zeqir Ymerin” e ka shndërruar në stadiumin e shtëpisë.

FOTO GALERI
1/1

Top Channel