Botërori i klubeve me “sy” shtesë

13/12/2016 00:00

Për ata që kanë nisur t’i kushtojnë vëmendje Botërorit të klubeve që do të finalizohet këtë muaj në Japoni, ndoshta nuk është fort e dukshme se në fushë ka sy shtesë për të sjellë vendime më të drejta.

Videoasistentët virtuale pas kuintave janë bërë arma më e re e arbitrave për një gjykim “Fair Play”. 23 kamera nga pozicione të ndryshme të lidhur me 3 njësi qendrore të pagëzuar me emrin VAR, janë vendosur si në stërvitje ashtu dhe në sfidat e deritanishme.

“Nëpërmjet këtij sistemi analizohet në shpejtësi aksioni i sapo përfunduar dhe nëpërmjet një pamjeje më të qartë, videoasistentët mund t’i komunikojnë arbitrit kryesor informacione shtesë që mund të shihen vetëm përmes ekraneve”, tha kreu i Departamentit të Teknologjisë në FIFA, Johanes HolxMyler.
 
Entuziast ishte dhe Masimo Busaka, zvicerani që drejtoi finale prestigjioze para se t’i dedikohej tashmë një zyre si Departamenti i Arbitrave në FIFA.
 
“Le të themi që çdo ditë ne praktikojmë ushtrime me ndeshjet, duke simuluar aksione ku situatat janë vërtet të vështira. Kështu nevojitet ndihmë nga jashtë. Vetëm kur është një gabim i pastër dhe çdokush e sheh, atëherë nuk duhet suport nga video”, tha Masimo Busaka.

Top Channel