Verstappen, mbret i parakalimeve!

12/12/2016 00:00

Ai e teston në limit durimin e komisarëve të garës dhe ngre dukshëm nivelin e nervozizmit mes pilotëve në pistë. Por kush më shumë e kush më pak, të gjithë në botën e Formula 1 bashkohen në mendimin se Maks Verstappen është më i çmenduri në cirkuit dhe një talent me grintë që ka nisur të lërë vërtet gjurmë.

Mad Max është piloti që ka parakaluar më shumë në Formula 1 për sezonin e  sapo mbyllur, një statistikë impresionuese që u certifikua nga kompania e gomave “Pirelli”.

Firma e njohur analizoi numrat e kampionatit spektakolar dhe Verstappen doli si ai që guxoi dhe arriti më shumë parakalime, plot 78 të tillë në garat e sezonit të kaluar. Kjo është statistika më e lartë e parakalimeve që prej vitit 1983, që është edhe viti kur nisën të bëhen të publike statistikat zyrtare.

Maks Verstappen mori çmimin e FIA-s për parakalimin më të bukur të vitit, atë që bëri në dëm të Nico Rosberg në Çmimin e Madh të Brazilit, e që me një fraksion sekonde të shkuar keq, mund të vendoste titullin. Por grinta e holandezit të Red Bull nuk ishte vetëm në finale pasi parakalimet e tij i vuajtën edhe Vettel,  Hamilton apo Alonso.
 
Ndërkohë piloti që ka bërë më shumë parakalime në një garë të vetme është Hamilton, me britanikun që ia doli me sukses në 18 raste në garën e Kinës. Lewis ishte gjithashtu mbreti i xhirove më të shpejta por kjo nuk e bëri të rifitonte fronin e Formula 1.

Top Channel