Ronaldo flet si i artë: S’e mendoja që do ta fitoja 4 herë në karrierë

12/12/2016 00:00

Cristiano Ronaldo aktualisht është në Japoni me Real Madrid në përgatitje për Botërorin e klubeve dhe nuk do të jetë në Paris për të pranuar “Topin e Artë”, të katërtin në karrierë.

Megjithatë, në një intervistë për prestigjiozen “L’Equipe”, ai e përshkroi këtë fitore të radhës si “ëndërr e bërë realitet”.

“Është përsëri një ëndërr e bërë realitet. Asnjëherë nuk e kisha imagjinuar që do ta fitoja këtë trofe katër herë. Jam shumë i lumtur dhe i përmbushur. Kur e ke për herë të parë, emocionet janë të veçanta, por sot ndihem njëjtë si në vitin 2008”, deklaroi Ronaldo.

Portugezi nuk harroi të falënderonte shokët e skuadrës te Real dhe kombëtarja luzitane, pasi sipas tij, nëse ata nuk do t’ia dilnin, as ai nuk do të merrte këtë trofe.

“Dua të shfrytëzoj rastin të falënderoj të gjithë shokët e skuadrës në përfaqësuese dhe tek Real Madrid. Jam shumë krenar dhe i lumtur. Nëse Reali dhe Portugalia nuk do të fitonin ato trofe, as unë nuk do ta fitoja ‘Topin e Artë’, prandaj gjithmonë e vë skuadrën të parën”, vijoi Ronaldo.

Më shumë se portugezi, “Topa të Artë” tani ka në koleksionin e tij vetëm rivali i tij, argjentinasi Lionel Messi, që numëron 5 të tillë.

Top Channel