Triumfon Partizani, ngec Tirana

10/12/2016 00:00

Kukësi ia rrëmbeu  sërish kreun Skënderbeut në klasifikimin e kategorisë Superiore. Në “Zeqir Ymeri” skuadra verilindore mundi Flamurtarin me rezultatin e ngushtë 1-0 për t’u ngjitur në kuotën e 31 pikëve. Fati i takimit u vendos që në minutën e 23 të tij kur Emini shënoi golin e fitores për Kukësin.

Partizani i përgjigjet suksesit të Kukësit, teksa mposhti Laçin në “Elbasan Arena” 2-0 për t’iu afruar akoma më shumë Skënderbeut në vendin e dytë. Ekuban shëni golin e parë për skuadrën e drejtuar nga Sulejman Starova, ndërkohë që të dytin e shënoi Torasa nga pika e bardhë e 11-metërshit.

Tirana gabon sërish në kategorinë Superiore. Bardheblutë këtë radhë vetëm sa barazuan 1-1 ndaj Korabit në “Selman Stërmasi”. Sfida nisi mjaft mirë për të besuarit e Mirel Josës që kaluan të parët në avantazh me anë të Takut. Por Korabi reagoi dhe  me anë të Plakut shënoi golin e barazimit në 1-1, një rezultat ky që mbeti deri në fund të 90 minutëshit.

Spektakël dhe gola u pa në sfidën e “Loro Boriçit” mes Vllaznisë dhe Luftëtarit, ku ishte skuadra gjirokastrite ajo që mori 3 pikët. Luftëtari e mori shumë shpejt avantazhin falë një autogoli të Cicmil, por pas 6 minutash, Vllaznia barazoi rezultatin në 1-1 me Shtubinën. Një ekulibër që nuk zgjati shumë pasi Luftëtari me Reginaldon u kthye në avantazh.

Vllaznia u kundërpërgjigj edhe në këtë rast duke rikthyer barazimin në fushë me golin e Markut. Në pjesën e dytë Luftëtari mori avantazhin për të tretën herë në këtë takim me Reginaldon që shënoi golin e tij të dytë personal.

Këtë radhë Vllaznia nuk mundi dot të përsërisë historitë e 45 minutave të para dhe ndeshja përfundoi 3-2 për Luftëtarin që e sheh veten në vendin e 6 me 18 pikë.

Top Channel