Morën tokën me dokumenta false, Prokuroria vendos sekuestro për 500 ha

10/12/2016 00:00

500 hektarë tokë kullotë në Ksamil janë vendosur në sekuestro nga prokuroria e Vlorës, pasi dyshohet se është përfituar nëpërmjet dokumentacioneve të falsifikuara nga trashëgimtarët e ishpronarit Resul Piro.

Hetimi nisi pas një materiali të referuar nga AKKP. Zyra Rajonale e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave ka vendosur në 2007 të njohë si pronarë të këtij trualli trashëgimtarët e Resul Piros. Vendimi është kundërshtuar në gjykatë nga ana e Hipotekës së Sarandës që nuk ka pranuar ta regjistrojë pronën në emër të tyre. Por ka qënë një vit më pas gjykata e Vlorës që ka detyruar hipotekën të regjistrojë kullotën në emër të trashëgimtarëve.

 Gjykata e Sarandës, në vitin 2008, është bazuar në vendimmarrjen e saj në një tjetër vendim të po kësaj gjykate, të vitit 1996, ku familjarët Piro ishin njohur si pronarë të asaj toke. Pasi e regjistruan tokën në Hipotekë, në vitin 2008, pronarët e rinj nisën të shisnin një pjesë të saj tek persona të tretë.

Në vitin 2015, Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave në Tiranë kishte konstatuar parregullsi në dosjen e kthimit të kësaj pasurie dhe dorëzoi një kallëzim penal në Prokurorinë e Vlorës.

Nga veprimet hetimore të kryera, Prokuroria e Vlorës ka krijuar dyshime të arsyeshme se, për përfitimin e kësaj prone, janë përdorur dokumenta të fallsifikuara.

Në dosjen e aplikimit tek Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave Vlorë, Prokuroria evidentoi se gjendej një vërtetim i Hipotekës së Sarandës së vitit 1995, jo origjinal (fotokopje e njehsuar me origjinalin), në bazë të të cilit vërtetohet fakti se kjo pronë figuron e regjistruar në emër të shtetasit Resul Piro.

Gjithashtu, në dosjen e aplikimit gjendet edhe një vendim i Gjykatës së Sarandës, të vitit 1996, në bazë të të cilit, njihej si pronar Resul Piro.

Por, nga hetimi i kryer nga Prokuroria e Vlorës rezulton se, të paktën vendimi i gjykatës, është tërësisht i fallsifikuar. Nga ana e Prokurorisë u kryer ekspertimi grafik mbi firmat e gjyqtarëve dhe sekretarëve që ishin shënuar si të pranishëm në seancën për njohjen e pronës familjarëve Piro. Ekspertimi grafik u krye tek firmat e të të njëjtit gjyqtar dhe sekretarë në vendime të ndryshme të asaj kohe. Kjo, për faktin se dosja origjinale që pretendohej se ekzistonte në gjykatën e Sarandës, nuk u gjet. Në bazë të ekspertizës grafike, rezultoi se vendimi i gjykatës i vitit 1996 është tërësisht i fallsifikuar. Duke qenë se ky vendim gjykate ka shërbyer për veprimet e mëtejshme për njohjen, regjistrimin dhe tjetërsimin e pronës nga ana e familjarëve Piro, Prokuroria e Vlorës sekuestroi e të gjithë sipërfaqes së saj, e cila është rreth 500 hektarë.

Top Channel