Europa League, kalojnë United e Fenerbahce

08/12/2016 00:00

Fenerbahce i rrëmben vendin e parë të Grupit A, Manchester United ndërsa Feynoord eliminohet nga Europa League.

“Djajtë e Kuq” kaluan me vështirësi 2-0 në transfertën e ftohtë të Zryas me gola të Mkhitaryan dhe Ibrahimovic duke arritur në fazën tjetër të kompeticionit. Gjithsesi, skuadra e Jose Mourinhos e mbyll fazën e grupeve në vendin e dytë pasi turqit e Fenerbahces kaluan 1-0 Feynoordin në “De Quip”. Golin vendimtar e realizoi Moussa Sow në minutën e 22 duke i dhuruar ekipit nga Bosfori një 3 pikësh shumë të rëndësishëm.

Në Grupin B, Apoel Nicosia fitoi 2-0 sfidën direkte me Olympiacos duke rrëmbyer vendin e parë të grupit me 12 pikë, ndërsa bardhekuqtë nuk e rrezikuan kualifikimin. Në sfidën tjetër, Young Boys shkatërroi 3-0 Astanan por nuk u ngjit më shumë se vendi i tretë pasi Olympiacos favorizohet për shkak të avantazhit në ndeshjet direkte me zviceranët.

Surpriza vjen nga Grupi C ku Mainz mbeti jashtë, pavarësisht fitores 2-0 ndaj Kabalas. Gjermanët e mbyllin këtë fazë me 9 pikë në vendin e tretë pasi Saint Ettiene triumfoi 3-2 në fushën e Anderlecht. Vendasit shënuan dy herë në portën e francezëve por nuk arritën të ruanin avantazhin pasi në pjesën e dytë, Alexander Soederlund dy herë dhe Monnet-Paquet arritën të kthenin ndeshjen duke siguruar një fitore historike që i katapulton në fazën tjetër. Në Holandë, AZ Alkmaar kaloi 3-2 Zenitin për t’u ngjitur në vendin e dytë. Fillimisht vendasit realizuan dy gola në portën e skuadrës ruse që rihapi llogaritë në pjesën e dytë por goli i Tankovic siguroi fitoren e AZ Alkmaar pavarësisht autogolit të pësuar 10 minuta nga fundi.

Në përballjen tjetër të grupit D, fitorja 2-1 e Maccabi Terl Aviv ndaj Dundalk nuk shërbeu për asgjë pasi skuadra izraelite e mbyll aventurën europiane në fazën e grupeve.

Në Grupin E, Roma dhe Astra ndanë një barazim pa gola duke siguruar që të dyja kalimin në fazën tjetër, ndërsa Viktoria Plzen ktheu disavantazhin e dy golave ndaj Austrisë së Vjenës për të kthyer në 3-2 ndeshjen edhe pse kjo ndeshje nuk shërbeu për asnjë prej dy skuadrave që eliminohen në fazën e grupeve. Në Grupin E llogaritë ishin mbyllur pavarësisht barazimit 1-1 mes Rapidit të Vjenës dhe Athletic Bilbaos. Austriakët eliminohen ashtu si Sassuolo që nuk e luajti ndeshjen me belgët për shkak të mjegullës së dendur në Emiglia Romagna. Kjo sfidë do të luhet të premten në orën 12:30.

Top Channel