Partizani reagon për gjykimin e ndeshjes ndaj Kukësit

07/12/2016 00:00

Ekipi i Partizanit ka reaguar ditën e sotme për arbitrimin e ndeshjes së fundit ndaj Kukësit, e cila u mbyll në barazim pa gola, e luajtur në “Elbasan Arena”.

Me anë të një statusi në faqen e tyre zyrtare në “Facebook”, ekipi i Partizanit ka postuar edhe një video rreth 2 minuta nga ndeshja me Kukësin me rastet që ata pretendojnë se arbitri i ndeshjes Lorenc Jemini ka gabuar.

Të paktën në 6 rastet, sipas tyre, arbitri i ndeshjes nuk ka vepruar si duhet me vendimet e tij, ku theksohet rasti i anulimit të golit të Ekuban, disa ndërhyrje të gabuara në dëm të lojtarëve të kuq, si dhe një rast për 11 metërsh, i cili nuk është dhënë në favor të Partizanit.

“Jemi në pritje të “superstarit” të radhës në ekran për të na sqaruar këto raste të diskutueshme… Ndryshe, Federata Shqiptare e Futbollit duhet të na sqarojë në mënyrë institucionale përse këto raste të diskutueshme në ndeshjet ndaj rivalëve direkt janë në dëm të FK Partizanit”, shkruan klubi i kuq.

Në statusin e ekipit të Partizanit thuhet se “dënimi” në ndeshjen ndaj Kukësit ishte i radhës për ta. “Prej 14 javëve, të paktën pesë prej tyre janë vendosur nga gabimet e arbitrave në dëm të Partizanit. Ky reagim vjen si nevojshmëri për të evituar “telekomandimin” e rezultateve nga arbitrat. Nëse këto veprime, lidhen me mendimet dhe opinionet e shprehura haptazi dhe publikisht nga presidenti Gaz Demi, që nuk i shkojnë për shtat institucionit të futbollit, ju bëjmë me dije se emri i FK Partizanit nuk mund të përdhoset në këtë mënyrë, NE do të kemi vendimin tonë”, thuhet ndër të tjera në njoftim.

Top Channel