“Football Leaks” zbulon sekretet e kontratave të lojtarëve

07/12/2016 00:00

E përditshmja “El Mundo” vazhdon të publikojë informacione të reja të “Football Leaks” të siguruara nga “Der Spiegel” dhe që janë pjesë e hetimeve të medias evropiane. Këtë radhë kanë dalë në dritë disa klauzola sekrete e kurioze të kontratave të futbollistëve.

Kështu, brazilianit Neymar iu premtua nga kompania Panini e koleksionit të fotove të lojtarëve pagesa e 50 mijë dollarëve për firmën e tij, që do të thotë se për çdo foto të nënshkruar, sulmuesi ka marrë 83 dollarë.
 
Cristiano Ronaldo ka kërkuar një kontratë konfidenciale për një periudhë 70-vjeçare, që do të thotë se gjatë kësaj periudhe nuk do të thuhet asgjë në lidhje me jetën private të futbollistit.

“Football Leaks” flet edhe për kontratën që Atletico Madrid nënshkroi me Manchester City në momentin e transferimit të “Kun” Agueros. Klubi spanjoll përfitoi 250 mijë euro për çdo 15 gola të shënuar nga argjentinasi dhe 250 mijë euro të tjerë për çdo 25 ndeshje aktivizimi të sulmuesit. Por jo vetëm kaq, Atletico Madrid përfiton edhe 1 milionë euro për çdo titull të fituar nga Aguero me City.

Një tjetër klauzolë kurioze është ajo e kontratës së Hugo Lloris me Tottenham. Portieri i Hotspurs përfiton 7000 paundë për çdo ndeshje që është titullar, 8000 paundë për çdo fitore dhe 3500 paundë për çdo humbje të skuadrës londineze.

Kontrata e Thiago Silvës me Paris Saint Germain nuk ka lënë indiferent askënd. Klubi parizien në momentin që hyri në bisedime me Milanin për qendërmbrojtësin pranoi t’u paguajë organeve fiskale italiane detyrimin prej 2.5 milionë eurosh që kishte futbollisti për të siguruar shërbimin e brazilianit.

Top Channel