Torino është një qytet që ka bërë bashkë shumë shqiptarë. Në jetën që ata kanë ndërtuar këtu momentet festive më shumë kuptim se asnjëherë marrin në periudhën e festave tona kombëtare.

Mbrëmjen e 3 dhjetorit një grup artistësh shqiptarë erdhën këtu për të treguar rëndësinë e identitetit dhe trashëgimisë sonë kulturore, por edhe për të pjekur shqiptarë e italianë mes tyre.

“Unë do të flas në italisht, jo sepse nuk di shqip, por sepse sonte mes nesh ka shumë miq italianë”, shprehet prezantuesja Oneda Celo.

“Ringjallja e traditave tona të mrekullueshme janë pasuri të domosdoshme, të cilat nuk duhen harruar kurrë”, shprehet organizatori i koncertit Hajri Kaçi.

Mbrëmjen e çeli Alban Skënderaj dhe magjia që ai përcolli me këngët e tij përcolli energjinë e duhur sidomos tek një publik i ri.

“Jam i lumtur sepse shoh shqiptarë të bukur, shqiptarë të buzëqeshur”, thotë këngëtari Alban Skënderaj.

Poezi me humor të zi, reflektuese të realiteteve tona komplekse, dhe sigurisht ato me karakter atdhetar ndër ngjyrat kuq e zi, me emocionalitet i solli në Torino, një nga interpretuesit më të mëdhenj të poezisë në Shqipëri, Mirush Kabashi. Publiku recitoi me të.

“Bashkatdhetarët tanë kudo që ndodhen në diasporë, e vlerësojnë dhe e duan dhe kanë mall për Shqipërinë shumë më tepër se sa ne që e kemi aty”, shprehet aktori Mirush Kabashi.

Këngëtarja e njohur e muzikës popullore shqiptare, bëri që valët shqiptare të kërcehen edhe në këtë teatër. Lirshëm e me mall për tokën e tyre.

“Gjithmonë primarja ka qenë të sjellim kulturën”thotë këngëtarja Artiola Toska.

Një miqësi shqiptaro-italiane ka bërë që bashkëpunimi mes dy popujve të ruajë identitet dhe të përforcojë kulturat. Zv/kryetari i komunës së Torinos, shprehet se e do tokën shqiptare.

“Për mua ishte absolutisht thelbësore të shkoja në Shqipëri. Të shihja atdheun tuaj ishte një eksperiencë e mrekullueshme”, thotë Alberto Sacco, Zv/Kryetar i Komunës së Torinos.

Më shumë se kushdo, këtë festë e ndjeu organizatori i saj. Ai jeton në këtë qytet prej 21 vitesh. Dhe të gjithë e njohin për krenarinë dhe dashurinë ndaj Shqipërisë.

“Të jesh i integruar nuk do të thotë të harrosh kulturën tënde. Por të bashkosh kulturat me popullin tënd”, shprehet organizatori Hajri Kaçi.

Top Channel