Veliaj nderon me “Simbolin e Qytetit” aktorin Luftar Paja

04/12/2016 00:00

Aktori shqiptar i njohur për dhjetëra role në kinematografi dhe në teatër, Luftar Paja u nderua me titullin “Simbol i Qytetit” nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. I shoqëruar edhe nga aktorë të njohur të brezit të tij, miq dhe familjarë, Luftar Paja u prit në një takim të veçantë nga kryebashkiaku Veliaj, i cili i dorëzoi titullin “Simbol i Qytetit”, në shenjë vlerësimi për kontributin e dhënë ndër vite në teatër dhe në film.

Kryebashkiaku Veliaj u shpreh se Luftar Paja është shembulli i njeriut që punon me ndershmëri, sakrificë dhe punë, duke u kthyer në frymëzim për të gjithë. “Nëse ka një shembull që përshkuan më mirë se çfarë do të thotë t’i bësh gjërat me ndershmëri, sakrificë, punë, duke u rrëzuar, duke u ngritur, 700 role në CV, dhe besoj që është në nderin e qytetit tonë, të të konsiderojë simbol të qytetit. Të falenderojmë me gjithë zemër për gjithë frymëzimin dhe dashurinë që na ke dhuruar”, tha Veliaj.

Duke falenderuar kryebashkiakun Veliaj për këtë vlerësim, aktori i njohur, Luftar Paja, tha se ndihet i emocionuar që po merr këtë medalje nga personi që me vitalitetin e tij po i kthen faqen Tiranës.

“Ndihem tepër i vlerësuar për nderin që m’u bë. Po ashtu, ndihem edhe shumë i emocionuar sepse ma jep këtë dekoratë një njeri, i cili është një talent, është një njeri vital që po ia kthen faqen Tiranës sonë të bukur. Prandaj, të uroj gjithë të mirat! Vazhdo kështu siç e ke, dhe ne, mua me shokët e mi, do të na kesh deri në frymën e fundit. Suksese gjithë stafit tënd dhe paçi gjithmonë mrekullira dhe bukurira!”, u shpreh artisti Luftar Paja.

Top Channel