Demi: Tirana më e fortë…

30/11/2016 00:00

Presidenti i Partizanit, Gamend Demi, thotë se rivalët e Tiranës hyjnë në këtë derbi më të fortë. Sipas tij, skuadra e Mirel Josës ka ndryshuar në aspektin pozitiv, ndërsa shton se Partizani mbetet i njëjti ai i dy viteve të fundit, një skuadër pretendente.

Në një intervistë ekskluzive me gazetarin Endi Tufa, Demi shprehet i kënaqur që Tirana tashmë ka hyrë mes ekipeve që luftojë për titull, duke thënë se i jep një tjetër vlerë derbit.

Ai kërkon që trofetë te mbesin në kryeqytet, madje ka edhe një batutë: “Tirana fiton Kupën, ne kampionatin”. Përpara derbit, Demi nuk ka ndonjë kërkesë të veçantë, por uron që sulmi të mos shpërdorojë, ndërsa flet edhe për mundësitë për premio.

Intervista e plotë:

TCH: Jemi në prag të derbit, si ndiheni ju dhe si është atmosfera në skuadër pasi duket se është futur në izolim?

Gazmend Demi, president i Partizanit: Të jem korrekt, jam pa emocione këtë ndeshje. Jam i gëzuar që dy skuadrat që kanë mbi shpatulla trofetë më të mëdhenj në vendin tonë, janë rikthyer për të luftuar për titullin dhe kjo më kënaq vërtet.

TCH: Derbin e parë të këtij sezoni Partizani e luajti në Elbasan, ndërkohë që Tirana ka luksin ta luajë në stadiumin e saj. Mendoni se do të ndikojë ky fakt?

Gazmend Demi: Është krejt normale që ndikon. Partizani ka këtë fat që të gjitha ndeshjet do t’i luajë jashtë, nuk ka mundësi t’i luajë në Tiranë, të paktën në këtë sezon. Në vend se Partizani të luante te Dinamo, luan Peshkopia (Korabi), megjithatë e kaluam. Tirana ka fushën e vet, por kjo ka pak rëndësi sepse të dyja skuadrat janë të kryeqytetit dhe e rëndësishme është që të jetë një ndeshje “fair-play” dhe të fitojë ai që e meriton.

TCH: Tirana-Partizani është dhe një derbi në tribuna, pasi bëhet fjalë për dy tifozëritë më të mëdha që kanë pasur edhe përplasje herëve të kaluara.

Gazmend Demi: Kjo puna e tifozëve nuk mund të zgjidhet për një ditë. Siç e thashë në fillim, është fat që këto skuadra janë rikthyer të luftojnë për trofe pas problemeve që kanë pasur, Partizani më shumë, Tirana më pak, tani në këtë sezon edhe tifozët duhet t’i zbusin tonet. Në stadium nuk ka nevojë të shahet apo gjëra të ngjashme. Për mua, si qytetarë të Tiranës, duhet t’i lënë këto. Megjithëse këto dy grupime tifozësh kanë histori të vjetra, mendoj se me kalimin e viteve do të ulen edhe tensionet.

TCH: Si e shikoni Partizanin tani në duart e Starovës?

Gazmend Demi: Partizani ka qenë pothuajse i njëjti staf, ne presidenca morëm vendim që të kemi në staf italianë. Që nga fillimi i sezonit, Starova ka qenë në krye të këtyre ndryshimeve, prandaj e kemi pasur pak më të lehtë. Ju e dini që Starova ka qenë bashkë me trajnerët e rinj që në qershor kur filluam përgatitjet për Europën. Ka qenë njeri i brendshëm. Sigurisht që trajneri e ka pasur peshën e vet, ai kishte peshën e tij. Nuk ka pasur ndonjë ndikim negativ.

TCH: Mendova në kuptimin a ndjehet dora e profesor Starovës?

Gazmend Demi: Nuk e quaj ardhje Sulmejman Starovën, ai ka qenë këtu, i brendshëm. Megjithatë me Sulejman Starovën skuadra sikur është më e qetë, por këtë do ta tegojnë rezultatet në fund.

TCH: Sipas specialistëve, Partizani krijon volum loje, por i mungon goli, pra në disa raste ka qenë më mirë se kundërshtari por ka dështuar të fitojë.

Gazmend Demi: Është e vërtetë. Ka luajtur ndeshje shumë të mira, sidomos me ekipet që janë sipër. Ndonjëherë është dhe fati. Me sulmin, siç e thonë edhe specialistët, kemi pak probleme. Me atë volum të madh loje që bëjmë duhet të kishim disa pikë më shumë. Por kjo është edhe punë fati. Siç e dini, të gjitha ndeshjet i kemi pothuajse në transfertë dhe kjo normalisht që ndikon. Pavarësisht se të mbështet tifozëria, janë 50 kilometra që do të ikësh dhe do të vish.

TCH: Ndryshe nga derbit e tjerë, Partizani është më i mbyllur kësaj herë. Edhe trajneri është më i rezervuar ndaj mediave. Mos rezultatet e fundit e kanë vënë në presion?

Gazmend Demi: Kjo “e mbyllur” nuk ka si të jetë e mbyllur kur po flet presidenti. Kampioanti është i ngjeshur, kemi çdo tre ditë ndeshje, prandaj stafi e shfrytëzon kohën për të punuar. Tani ku duhet ta kenë mendjen, te stërvitja apo te mediat. Ju doni gjithmonë që të flasim për të mbushur emisionet. Është normale që ata shohin punën e tyre, mbaron ndeshja, kanë konferencat e zakonshme dhe do të flasin.

TCH: Në prag të kësaj ndeshje, keni pasur ndonjë kërkesë të veçantë për Starovën?

Gazmend Demi: Nuk kam pasur asnjë këkesë të veçantë. Tani nuk quhem as president i ri sepse kam hyrë në vitin e katërt dhe e dini se ekipin e kam qejf të jetë sulmues e të jetë i fortë fizikisht. Dua gjithmonë të jetë si tani, të krijojë volum loje.

TCH: Ka ndonjë premtim për ndonjë premio për këtë ndeshje?

Gazmend Demi: U takova me Sulejmanin Starovën dhe pjesën tjetër të stafit dhe ekipi duket shumë i qetë. Nuk kanë ndonjë kërkesë për premio, por këto vendime i takojnë bordit. Nëse i kënaq ndeshja, atëherë bordi mund të marrë vendim që të japë premio.

TCH: Si duket skuadra përpara derbit, krahasuar edhe me derbit e tjerë dhe si ju duket Tirana?

Gazmend Demi: Tirana është më e fortë. Kurse ne e kemi ruajtur vazhdimësinë. Partizani në dy vitet e fundit ka qenë skuadër e fortë. Por, më bëhet qejfi që edhe Tirana është forcuar dhe të bëhet një derbi i bukur për të dy tifozëritë e për qytetin. Më rëndësishme është që jemi të dyja jemi në luftë për kreun. Ndoshta ka ardhur koha që trofetë të mbesin në Tiranë. Tirana Kupën, ne kampionatin.

TCH: Për këtë ndeshje, tifozët thonë “më mirë të fitohet derbi sesa titulli”

Gazmend Demi: Tifozët janë si të ngjeshur mes njëri-tjetrit. Të dy palët e thonë këtë gjë. Për mua është budallallëk sepse më e rëndësishme është titulli sesa derbi. Çfarë rëndësie ka nëse fiton Partizani ose Tirana dhe të dyja nesër nuk janë, as për Europa League, as për kampionat, çfarë vlere ka?!

Top Channel