Giusy Ferreri merr “Çelësin e qytetit” të Tiranës

29/11/2016 00:00

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i dorëzoi dje pasdite “Çelësin e Qytetit” këngëtares së njohur italiane, Giusy Ferreri.

Në një pritje të organizuar në Bashkinë e Tiranës, Veliaj i shprehu mirënjohjen këngëtares me famë ndërkombëtare dhe i dorëzoi një prej simboleve që u jepet miqve të qytetit. Duke vlerësuar vizitën e Giusy Ferrerit në Tiranë, kryebashkiaku Veliaj ftoi të gjithë qytetarët që t’i bashkohen festimeve të organizuara nga Bashkia e Tiranës.

“Jam këtu me Giusy Ferrerin në Tiranë dhe mezi presim që të kemi një koncert fantastik. Në ‘Natën e Bardhë’ do të takohemi të gjithë te sheshi ‘Nënë Tereza’. Do të fillojmë pak më herët, duke filluar nga ora 18:00, pastaj Giusy do të jetë aty në orën 21:00. Do të jetë një natë fantastike. Na u bashkoni sot për një natë fantastike me Giusy Ferrerin dhe grupin e saj”, u shpreh Veliaj.

Këngëtarja e njohur italiane Giusy Ferreri falenderoi Kryetarin e Bashkisë Erion Veliaj për këtë vlerësim, ndërsa tha se ndihet krenare për këtë dhuratë të mrekullueshme. “Falenderoj shumë kryetarin tuaj bashkiak shumë special. Jam shumë krenare për këtë dhuratë të mrekullueshme. Ju pres të gjithëve te sheshi “Nënë Tereza”, ku do të jem në koncert me orkestrën. Ju mirëpres të gjithëve”, tha Giusy Ferreri.

Top Channel