Teatri i kukullave për të rriturit, vjen ‘Tradhëtitë”

26/11/2016 00:00

Dramaturgu britanik Harold Pinter, fitues i çmimit Nobel, është ngjitur në skenën shqiptare përmes pjesës së tij “Tradhëtitë”.

“Është një nga dramaturgët e mi të preferuar. Kam punuar një pjesë në teatër të Harold Pinter, disa vite më parë dhe po në të njëjtën kohë kisha zgjedhur edhe këtë pjesë. Isha shumë xheloze për pjesën time që mos ta vija, sepse doja që të kisha një tjetër formim, të isha më e pjekur, sepse pjesa kërkon një moshë, e kisha prej kohësh të ruajtur në sirtar dhe kishte ardhur momenti ta ngjisja në skenë”, thotë Madi Selimi, regjisore.

Ema dhe Roberti janë të martuar prej disa vitesh, martesë e cila përballet me lidhjen jashtëmartesore të Emës me Xherrin, mikun e ngushtë të bashkëshortit të saj. Gjithvcka nis në vitin 1977, ku pas përballjes me faktet, nis të zbulohen pak e nga pak arsyet që çuan në këtë tradhëti, duke shkuar pas në kohe deri në vitin 1968. Një shfaqje ku të gjithë tradhëtojnë, por në të njëjtën kohë, ndihen të tradhëtuar.

 “Është një pjesë që flet për tradhëtitë jo vetëm bashkëshortore, por për tradhëtitë në përgjithësi. Ne të gjithë tradhëtojmë, tradhëtojmë edhe veten kur nuk mbajmë premtimet.  Mund të tradhëtojmë shokun, familjen, është një sërë e madhe tradhëtish”,  thotë Madi.

“Tradhëtitë” e Pinterit shfaqen për publikun këtë fundjavë, mbrëmjeve, në skenën e Teatrit të Kukullave, si një hapësirë më shumë dedikuar artit në kryeqytet.

Top Channel