Portretizoi Putinin dhe Patriarkun rus në skena erotike, gjykata ruse dënon skulptorin gjerman me 8 vite burg
Kjo është një histori që zhvillohet në një vend që ne e njohim, në qytetin e Sarandës dhe ka në fokus raportin e veçantë midis një vajze të rritur në jetimore dhe një mësueseje të shkollës së Sarandës.
Historia jonë flet për një grua që quhet Adriana. E lindur në Tiranë ne vitin 1962, Adriana u përball që në muajt e parë të jetës me shumë vuajtje dhe mungesa, mungesa nga më jetiket siç është ajo e dashurisë së një nëne.
Adriana u braktis në spitalin e Tiranës që në momentin që lindi. Kur ishte 9-muajshe ajo u dërgua në Shtëpinë e Fëmijës në Pogradec dhe qëndroi aty deri sa mbushi 3 vjeç. Më pas u dërgua në Vlorë ku qëndroi për disa vite.
Adriana kujton mes lotësh momentin e parë që ajo dhe disa fëmijë të tjerë mbërritën në këtë jetimore. “Më kujtohet kur ndaloi autobuzi përballë jetimores ku do qëndronim. Zbrita nga autobuzi dhe kur pashë fytyrat e inatosura dhe të vrazhda të kujdestarëve kthehem me vrap te fëmijët e tjerë, kapem pas hekurave të dritares dhe them: ‘Duhet të kthehemi mbrapa, sepse këtu nuk na duan’”, tregon ajo.
Ishte vetëm një fëmijë, por vuajtjet në jetë e kishin ndihmuar që të kuptonte shumë gjëra. Për Adrianën nuk ishte e lehtë të kalonte nga një jetimore në tjetrën, sapo arrinte të përshtatej me një formë jetese dhe me personat që e rrethonin, shumë shpejt i duhej të largohej.
Adriana rritej dhe në çdo ditë që kalonte nuk kishte dikë që ta thërriste mami, nuk kishte dikë që ta përqafonte sa herë që mërzitej apo qante, nuk kishte dikë që t’i mbante dorën në hapat e saj të parë.
Jo, ajo ishte e vetme dhe i kalonte ditët duke qëndruar në portën e jetimores dhe duke pritur që një ditë nëna e saj të hynte e ta merrte me vete.
Në moshën 7-vjeçare, Adriana shkon në jetimoren e qytetit të Sarandës ku edhe vazhdon shkollën. Ajo ishte një fëmijë shumë i shkathët, madje ndonjëherë edhe thyente rregullat, por ndoshta kjo ishte mënyra e saj për të tërhequr vëmendjen e të tjerëve.
Më datë 3 shtator 1973 dikush shfaqet në jetën e Adrianës, dikush që do t’i ndryshonte përgjithmonë jetën, edhe pse ajo ende nuk e dinte. Ajo ishte Gonxhe Voja, mësuese në Sarandë për 10 vjet. Midis saj dhe Adrianës po krijohej një raport shumë i veçantë, si ai i një nëne me vajzën e saj.
Gonxhja kujton se kur ishte shtatëzënë me fëmijën e tretë, për shkak të një problemi shëndetësor e kishin çuar në spital. Ajo thotë se nuk do ta harrojë kurrë atë ditë, kur Adriana rrinte prapa hekurave të dritares së spitalit, duke qarë dhe duke u lutur që mësuesja e saj të shërohej sa më shpejt.
Kaluan disa vite dhe rrugët e tyre u ndanë përsëri. Tashmë Adriana jetonte në konvikt dhe çdo ditë dilte për të kërkuar punë. Por një ditë, kur u kthye, pa jashtë derës së konviktit valixhen me rrobat e saj. Ajo u shtang dhe u përpoq të hynte, por kujdestarja e konviktit i tha që të largohej dhe të mos kërkonte më të hante në kurriz të shtetit, sepse kishte mbushur 18 vjeç.
Çdo ditë Adriana përpiqej ta përballonte me forcat që i mbeteshin, rrinte në radhë me orë të tëra për të kërkuar punë, natën flinte në strehat e shtëpive për t’u ruajtur nga shiu dhe erërat e ftohta të dimrit dhe pothuajse nuk hante asgjë.
Ndër të paktat gjëra të bukura që kujton në ato vite ishte dashuria për personin me të cilin lidhi jetën. Gjërat u stabilizuan paksa, por ende ndjente një boshllëk në shpirt, për mësuesen që për vite me radhë kishte zëvendësuar nënën e saj.
Ishte 7 mars, Dita e Mësuesit, kur arriti të gjente një numër kontakti të Gonxhes. E telefonoi dhe midis lotëve e uroi për festën e mësuesit dhe që nga ajo ditë vazhdojnë të flasin. Por përsëri zemra e saj nuk ishte e plotë dhe këtë Gonxhja e dinte shumë mirë.
Ajo e ndihmoi Adrianën në përpjekjet e vazhdueshme për të gjetur nënën dhe një ditë pyetjet e pafundme morën një përgjigje. Kjo do të ishte gjithçka që Adriana donte dhe për të cilën do të kishte kërkuar gjithë jetën.
Atë ditë, të cilën e mendoi si fundin e dhimbjeve të saj, mori një përgjigje që nuk e priste kurrë. Mamaja e saj i tha se e kishte braktisur sepse nuk e donte dhe se nuk duhej ta kërkonte apo ta shqetësonte më.
Nuk ishte e lehtë për Adrianën, por do t’i duhej të jetonte me këtë fakt. Ajo krijoi një familje duke qenë një nënë për fëmijët e saj, që ajo vetë nuk pati kurrë mundësinë ta kishte.
Adriana i është drejtuar stafit të emisionit “Dua të të bëj të lumtur”, përmes të cilit ka mundur t’i ofrojë mësueses së saj një udhëtim të bukur turistik.
Top Channel