Restaurohet ish-shtëpia e Enver Hoxhës

25/11/2016 00:00

Në Gjirokastër ka nisur restaurimi i çatisë së Muzeut Etnografik, ish-shtëpi e diktatorit Enver Hoxha.

Lagështia dhe agjentët e tjerë kanë çuar drej kalbjes dhe degradimit shumë objekte druri, kostume popullore dhe orendi të ekspozuara në muze. Faza e restaurimit do të jetë e para.
 
“Ky është hapi i parë që ne bëjmë në Muzeun Etnografik për të siguruar jetën e turistëve që e vizitojnë. Pastaj do të vazhdojmë dalëngadalë me rikonceptimin nga brenda të këtij muzeu”, tha kryebashkiakja e Gjirokastrës, Zamira Rami.

Sipas specialistëve, me një fond lokal prej 3,5 milionë lekësh pritet që objekti të dalë nga emergjenca e depërtimit të lagështisë. Punimet pritet të përfundojnë brenda 45 ditësh.

Që prej vitit 1990, Muzeut Etnografik nuk i është shtuar asnjë objekt i ri, ndërsa prej vitesh po zhvillohet  një debat lokal mbi nevojën për rikonceptim të tij.

Banesa nuk është e pajisur me fakte apo objekte që lidhen me jetën e diktatorit. Nga ana tjetër prezantimi i godinës si Muze Etnografik është gjithashtu i pambështetur nga ana shkencore dhe konceptuale.

Top Channel