Përdhunime në futboll, zgjerohet skandali seksual në Angli

25/11/2016 00:00

Skandali seksual i abuzimeve në futbollin britanik ka marrë përmasa të tjera pas zbulimit të disa rasteve të reja të dhunë seksuale. Katër ish-futbollistë dolën publikisht në një intervistë prekëse në rrjetin BBC, për të treguar makthin që ata kishin përjetuar dhe ngacmimet kur ishin fëmijë, nga një trajner i moshave.

Andy Woodward ishte i pari që denoncoi skandalin, por nuk ishte i vetmi që u përlot kur kujtoi vuajtjet e viteve më parë, njësoj si Steve Walters, Chris Unsworth dhe Jason Dunford. Në shënjestrën e tyre ishte ish-trajneri i skuadrës së Crewe, Barry Bennell që madje u akuzua nga një prej ish-futbollistëve se e kishte përdhunuar më shumë se 100 herë.

Ish tekniku kontrovers 62-vjeçar është duke vuajtur 3 dënime me burg, për dhunë seksuale ndaj fëmijëve të mitur, por ndërkohë skandali ka bërë Federatën të ngrejë alarmin për ekipet e fëmijëve. Një linjë e dedikuar telefonike është ngritur nga shërbimet sociale në Britaninë e Madhe që nga denoncimi i parë, dhe deri këtë fundjavë, numërohen 100 raste.

“Federata e futbollit duhet të shikojë pas për të korrigjuar gabimet e së kaluarës, nëse nuk u konsideruan faktet apo nëse nuk u bë mjaftueshëm për të hetuar një problem që mund ta kishim evituar”, tha Damian Collins, deputet britanik dhe kreu i Komisionit të Kulturës dhe Sportit.

Top Channel