FIFA mbledh Komitetin Ekzekutiv, diskutohet botërori me 40 ekipe

23/11/2016 00:00

Qeveria e futbollit botëror zhvilloi mbledhjen e parë të Komitetit Ekzekutiv në Paris, si pjesë të një platforme për të diskutuar reformat e fundit dhe inovacionin në këtë sport.

Presidenti i FIFA-s, Xhani Infantino kryesoi punimet e mbledhjes në kryeqendrën transalpine dhe në fundin e saj u tregua i hapur për të aplikuar përsëritjet e pamjeve filmike gjatë ndeshjeve, për episode të diskutueshme.

Video Asistenti i arbitrave siç është quajtur sistemi i ri, do lejojë gjyqtarët që t’i kërkojnë ndihmë teknologjisë për situata kyçe të ndeshjeve. Vende si Australia, Gjermania, Holanda, Italia apo Portugalia kanë zhvilluar teste pozitive me sistemin VAR.

Por një tjetër çështje e shumë diskutueshme është ajo që do të çojë botërorin e futbollit në një fazë finale me 40 kombëtare apo ndoshta edhe 48. Nga kjo mund të përfitojnë ekipe si Shqipëria që nuk kanë provuar asnjëherë më parë pjesëmarrjen në një turne të tillë.

“Çdokush e pëlqen zgjerimin dhe disa janë në favor të formatit me 40 ekipe, e disa të tjerë me 48. Shumë njerëz e shohin këtë projekt si promovimin e futbollit në shumë vende”, tha Xhani Infantino.

Formati potencial me 48 kombëtare finaliste në një botëror, do të çonte në 80 numrin e ndeshjeve, në krahasim me 64 që janë aktualisht, por presidenti i FIFA-s mendon se kjo shërben për të çuar futbollin në të gjithë globin. Një vendim i afërt për zgjerimin do të jetë në 10 Janar në Zyrih.

Top Channel