NBA, fitojnë Houston dhe Chicago

18/11/2016 00:00

Houston Rockets i falet të zakonshmit James Harden për të siguruar fitoren ndaj Portland. Në “Toyota Center”, skuadra teksane e mbylli ndeshjen me rezultatin 126-109 ku Harden shkëlqeu në parket me 26 pikë, 14 asiste dhe 12 topa në tabelë.

Me këtë sukses, Houston e sheh veten në vendin e 6 në Konferencën e Perëndimit me 7 fitore dhe 5 humbje.

Ndërsa në Konferencën e Lindjes, Chicago Bulls regjistroi fitoren e katërt radhazi duke mposhtur Utah Jazz me rezultatin 85-77. Jimmy Butler dhe Dwayne Wade ishin ata që morën përsipër të drejtonin Bulls drejt kësaj fitoreje duke shënuar respektivisht 20 dhe 18 pikë.

Në ndeshjet e tjera të NBA, Minnesota mundi Philadelphian 110-86 falë edhe 35 pikëve të Wiggins. Miami Heat rigjeti fitoren pas 6 disfatave radhazi pasi mposhti Milwaukee 96-73, ndërsa Washington iu imponua New York teksa e mposhti skuadrën e Knicks 119-112.

Top Channel