“Identiteti kombëtar dhe diaspora”, ekspozita e BB dhe DPA

18/11/2016 00:00

“Identiteti kombëtar dhe diaspora” është ekspozita e çelur në kuadër të samitit të parë të Diasporës. Ajo është një bashkëpunim mes Bibliotekës Kombëtare dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave.

Vlerave të kësaj ekspozite iu shtuan simbolikisht edhe vlerat e paçmueshme të rreth 270 librave nga Biblioteka e mirënjohur e Faik Konicës, të cilët tashmë do të pasurojnë fondet e Bibliotekës Kombëtare.

Të karakterizuara nga një vetëdije mbresëlënëse, diasporat e shumta shqiptare, si arvanitase, arbëreshe, ballkanike, ato të Stambollit dhe Misirit, dhe e mirënjohura në SH.B.A. përmes “Vatrës”, kanë përbërë potencialin thelbësor intelektual, politik, diplomatik, organizativ dhe ekonomik, në të cilin u mbështetën përpjekjet për Pavarësi si edhe ato të mëtejshmet për një zhvillim të qëndrueshëm e demokratik të vendit. Emra të shquar të botës kulturore shqiptare, sot pjesë e rëndësishme e Historisë sonë kombëtare, lindën ose u mirëpritën dhe kontribuuan pikërisht në gjirin e këtyre diasporave, që nga De Rada e Skiroi, Frashëllinjtë e Çajupi, Nikolla Naço e Kristo Luarasi, e deri te Konica e Fan Noli. Lëvizjet, shoqëritë patriotike e kulturore të themeluara prej tyre kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në kujtesën e trashëgiminë tonë kombëtare.

Në kuadër të Samitit të Diasporës, krahas librave të Bibliotekës së Faik Konicës, të mundësuara, nga z. Agron Alibali, fondi i vlerave të rralla të Bibliotekës Kombëtare u pasurua edhe me një letër dorëshkrim të intelektuales me origjinë shqiptare Dora D’Istrias, shkruar në vitin 1862, e cila u dhurua nga z. Gjino Luka. Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë i akordoi z. Agron Alibali dhe z. Gjino Luka “Çertifikatën e Mirënjohjes” si shenjë vlerësimi për përkushtimin dhe punën e tyre të çmuar.

Në përmbyllje të aktivitetit, Biblioteka Kombëtare shpalli edhe Çmimin Kombëtar të Bibliofilisë – Lumo Skëndo për vitin 2015 dhe për vitin 2016. Çmimi Kombëtar i Bibliofilisë – Lumo Skëndo 2015 iu dha “Botimeve Françeskane” për botimin bibliografik “Libri Antikuar për Shqipërinë në Bibliotekën Françeskane” të autorit At Vitor Demaj, OFM dhe autores Siva Kodheli. Çmimi Kombëtar i Bibliofilisë – Lumo Skëndo 2016 iu dha “Botimeve KULT” për koleksionin e revistës së mirënjohur “Albania” të Faik Konicës .

Top Channel