F1, Hamilton deri në frymën e fundit, anglezi niset në “pole”

12/11/2016 00:00

Arriti “Pole Position”-in e 60 në karrierën spektakolare, por asgjë nuk do të vlejë për Hamilton nëse të dielën në garën e Brazilit ai do të detyrohet të lëshojë fronin e Formula 1 dhe kjo ndaj një piloti brenda “shtëpisë”. Protagonisti i Mercedes regjistroi kohën më të mirë në cirkuitin e Interlagos, por pas krahëve do të ketë Nico Rosberg, gjermani favorit për të fituar titullin.

Për herë të 13 në 20 gara sezonale, vija e parë e nisjes do të jetë e gjitha nën diktatin e Mercedes, ndërsa i treti do të startojë Kimi Raikkonen me Ferrarin, një koktejl ambicie dhe grinte mes pilotëve që premton shkëndija në metrat e parë në Sao Paulo.

Lewis Hamilton po bën të pamundurën për të mos e lënë të qetë shokun e skuadrës dhe për të çuar verdiktin final deri në garën e fundit në Abu Dabi.

Të dielën do të shikojmë nëse Rosberg do t’ia dalë ta certifikojë titullin e parë në karrierë, apo do të dorëzohet sërish ndaj Hamilton, për t’i lënë gjithçka ruletës së Formula 1 në fund të nëntorit. Të dielën në orën 17:00 gara e Interlagos si gjithmonë në Top Channel.

Top Channel