Në vetëm 70 metra/katror të një shtëpie të zakonshme në qendër të Elbasanit jetojnë 3 persona. Por ata janë të veçantë pasi nuk jetojnë si gjithë të tjerët.

Përditshmëria e çiftit të bashkëshortëve dhe djalit të tyre është e lidhur ngushtë me 4 mijë tituj librash që gjenden të vendosur me shumë kujdes në çdo cep të shtëpisë, një bibliotekë për t’u pasur zili ajo e Kristo Maliqit, i cili për nga profesioni nuk ka asnjë lidhje me librin, por pasioni për të ka krijuar një lidhje të veçantë.
  
“Unë me profesion jam mekanik por pasioni më ka bërë që unë, pa dashje të kthehem në një lexues profesionist dhe ta kuptoj mirë letërsinë. Letërsia mua më ka ngritur nivelin e mendimit, më ka bërë që të jem shumë i pëlqyeshëm në bashkëbisedim”, thotë Kristo.

Vetë Kristo shton se e ka të pamundur t’i lexojë të gjitha, por kjo nuk e zbeh dëshirën për t’i pasur aty, fizikisht në shtëpinë e tij. Ai flet me ta, jeton me ta dhe nuk mundet të imagjinojë një jetë ndryshe.
 
“Nuk pi duhan, alkool, nuk shpenzoj lekun atje ku nuk duhet, por për librin nuk mendohem dy herë. Pasioni bën gjithçka”, shprehet ai.

Bibliotekës së tij nuk i mungon thuajse asnjë titull, ndërsa tregon me krenari se e gjithë kjo pasuri një ditë nuk do të shkojë dëm, pasi i biri trashëgon pasionin e të atit.

“Bëmë baba të të ngjaj i thonë kësaj. Spiro e ka më tepër pasion sesa unë dhe ka mendim më të përparuar sesa unë. Bibliotekën ne e kemi ngritur të tre, unë Diana dhe Spiro”, rrëfen Kristo.

Nuk ka asnjë cep të shtëpisë së tyre të vogël pa nje liber, ndërsa Kristo veçon titujt më të rrallë.

“Një libër i Jean-Jacques Rousseau, “Zhulia”, Kanuni i Lekë Dukagjinit, është botuar në Kosovë. Meshari i Gjon Buzukut, transkripuar nga Eqrem Çabej, Çeta e Profetëve e Pjetër Bogdanit e të tjera”, veçon ai.

Në shtëpinë e tyre nuk ka vend për shumë orendi, pasi kryefjala e çdo dhome është libri.

Është e lehtë të imagjinosh dhuratat në familjen Maliqi, ato janë përherë libra. dhe kjo eshte pasuria e tyre.

“Unë dhuratë nënkuptoj libër. Kur kanë ditëlindjen Diana me Spiron u dhuroj nga një libër. Dhuroj është në thonjëza, sepse libri është i të treve dhe ne tull pas tulle ngrëmë bibliotekën tonë me aq sa kemi mundësi”, thotë Kristo.

Kristo e vlerëson zhvillimin teknologjik, por nuk e do atë. Dashuria e tij për librin është ta kesh pranë vetes, të kujdesesh, ti ndërrosh herë herë raftet dhe të flasesh me të, ndërkohë që ai flet me ty përmes një bote të madhe.

Top Channel