Trajneri Izraelit: Synojmë vendin e tretë, do firmosja për barazim

11/11/2016 00:00

Trajneri i Izraelit, Levy dhe kapiteni i skuadrës, Zahavi dolën në konferencën për shtyp para ndeshjes së ditës së nesërme në “Elbasan Arena” me kombëtaren tonë.

Trajneri Levy tha se skuadra që ai drejton synon vendin e tretë në grup dhe për këtë sigurisht që Shqipëria është rivali i tyre direkt, por ai shtoi se kjo ndeshje nuk është vendimtare.

“Të dyja skuadrat kanë pikë të barabarta aktualisht. Janë shumë ndeshje për t’u luajtur deri në fundin e eliminatoreve dhe takimi i ditës së nesërme nuk është vendimtar për synimet tona. Deri në fund janë shumë pikë në lojë”, tha Levy, trajneri Izraelit.

Levy tha se ishte i gatshëm të firmoste për barazimin edhe pse shtoi se ekipi i tij në çdo ndeshje futet për të fituar.

“Firmos për barazimin nëse ma thotë De Biasi edhe pse ne hyjmë për të fituar në çdo ndeshje”, tha trajneri i Izraelit.

Top Channel