Rusi 2018, afron ‘klasikja’ Brazil-Argjentinë

08/11/2016 00:00

Raundi i radhës së eliminatoreve të Botërorit 2018 ka rezervuar atë që cilësohet si “Klasikja” e futbollit amerikano latin, sfidën mes Brazilit dhe Argjentinës. Brazili vjen në këtë përballje me moral më të lartë se rivalët argjentinas.

Seleçao i ka fituar të 4 ndeshjet nën drejtimin e trajnerit Tite dhe tashmë kryeson grupin kualifikues të Amerikës së Jugut. Ndërsa Argjentina po përjeton një moment shumë delikat. Në ndeshjet e fundit skuadra bardhekaltër nuk ka mundur të fitojë dhe tashmë është në vendin e pestë në klasifikim duke rrezikuar eliminimin.

Për këtë ndeshje, trajneri Tite ka marrë në skuadër, Rodrigo Caion, i cili zëvendëson Casemiron e dëmtuar. Në të njëjtën kohë ai ka lënë jashtë mesfushorin e Chelseat, Oscar. Ndërsa te Argjentina rikthehet Lionel Messi, që mungoi në sfidat e fundit të nënkampionëve të botës, për shkak të një demtimi muskular.

Herën e fundit që Messi luajti me përfaqësuesen e tij ishte në 1 shtator ndaj Uruguajit, ku shënoi edhe golin e fitores për Argjentinën. Pa të në fushë, bardhekaltrit barazuan 2-2 në me Perunë, humbën 0-1 me Paraguajin.

Top Channel