Haliti, “Mjeshtër i madh”

31/10/2016 00:00

Bienalja e Hong Kongut në të cilën kanë konkurruar rreth 6 mijë artistë nga mbarë bota, ka kurorëzuar me titullin më të lartë piktorin shqiptar Helidon Haliti. Mes shumë mjeshtërish të akuarelit, Haliti ka mundur të marrë titullin “Mjeshtër i madh”.

“Çmimi ‘Mjeshtëri i madh’ i jepet shumë pak vetave dhe me një komision tepër prestigjioz dhe ndërkombëtar. Të marrësh këtë çmimi është absolutisht një dilemë e një gëzimi”, u shpreh Haliti.

Konkurrentët kanë pikturuar “live” mes kritikëve të akuarelit dhe një jurie profesionistësh në një prej vendeve që e ka për traditë këtë gjini pikture.

“Bëhet fjalë për një nga teknikat më të lashta në botë, janë mjeshtërit më të mëdhenj të botës të gjithë kohërave, por sot ata e kanë ndarë shkollën e tyre me Europën dhe që të pranojnë akuarialistët europianë të operojnë në atë që e quanin territorin e tyre”, vijoi Haliti.

Krahas titullit, tanimë studentët e pikturës në këtë pjesë të Kinës do të mund të pikturojnë me furça të cilat mbajnë të gdhendur emrin e piktorit shqiptar.

“Shumë mjeshtër në botë arrijnë këtë pikë që emri i tyre të stampohet në penel. Tashmë një nga firmat ka stampuar emrin tim dhe kjo më gëzon pa masë”, tha Helidon Haliti.

Top Channel