Federata: Policia gaboi. Situata nuk u menaxhua mirë, pati pasoja

31/10/2016 00:00

Dhuna e rikthyer në futbollin shqiptar, në ndeshjen më të rëndësishme të javës së nëntë të Superligës mes Partizanit dhe Skëndërbeut, sipas Federatës Shqiptare të Futbollit dhe drejtuesëve të Partizanit ka vetëm një shkaktar, Policinë e Shtetit.

Sipas shefit të sektorit të garave, njëkohësisht delegat zyrtar i ndeshjes së një mbërmjeje më parë, Lysjen Nyrishmi, ka një procedurë se si njoftohet policia dhe si merren masat e sigurisë për organizimin e një ndeshjeje.

“Duhet theksuar se organizatorët e një ndeshjeje janë klubet, në të gjitha kategoritë. Ato duhet të bëjnë një punë më të mirë parapërgatitore me tifozeritë. Sa i takon ndeshjeve të ekipit kombëtar, sigurisht që Federata ka një listë që ia paraqet policisë. Ndërsa për klubet është policia që e ka një listë të tillë”, thotë Nyrishmi.

Gjithësesi, mosmenaxhimi i mirë i situatës ka sjellë dhe këtë degradim të saj, që fatkeqësisht pati jo pak pasoja.

“Mendoj se nëse policia nuk do kishte ndërhyrë ashtu, ndoshta s’do kishim një situatë të tillë. Ndoshta do të ishte më mirë të kishim një koordinim mes policisë, klubit të Partizanit dhe zyrtarëve të ndeshjes dhe të merrej një vendim për tifozët problematikë”, thotë Nyrishmi.

Edhe për Partizanin, pavarësisht pamjeve të transmetuara një natë më parë kur tifozeria e kuqe i kishte bërë pritë autobusit të tifozerisë korçare dhe degradimit të situatës në fushë, fajtore është Policia e Shtetit.

“Policia duhet të jetë më e kujdesshme, gjakftohtë e të marrë masa. Ato janë momente delikate, që nuk duhet të ndodhin sepse nuk mund të godasësh autobusin e kundërshtarëve. Por kjo është detyrë e policisë, siç është nëpër mitingje politike, në mënyrë që ndeshja të shkojë sa më mirë”, thotë Genc Tomorri, drejtor i përgjithshëm i Partizanit.

Top Channel