Superiorja, Kukësi mund Luftëtarin

29/10/2016 00:00

Kukësi mori një fitore të vështirë ndaj Luftëtarit në ndeshjen e javës së 9 të Kategorisë Superiore. Skuadra e drejtuar nga Ernest Gjoka u mjaftua me rezultatin e ngushtë 1-0 për të marrë këto 3 pikë që i japin mundësinë asaj për t’iu bashkuar përkohësisht Partizanit që të dielën do të luajë supersfidën me Skënderbeun në “Elbasan Arena”.

Në pjesën e parë të mbyllur 0-0, momentet më të mira u shënuan në minutën e 32 dhe 41 kur të dyja skuadrat iu afruan ndjeshëm golit. Për Kukësin ishte pikërisht Greca ai që kërkoi të shënojë me portierin e Luftëtarit që e devijoi topin në goditje këndi. Në krahun tjetër, tentoi Bregu me goditje dënimi, një gjuajtje që gjeti Kolicin në  gatishmëri.

Në pjesën e dytë, Luftëtarit iu dha shansi i artë për të kaluar në avantazh teksa iu akordua një 11-metërsh në favor pas prekjes së topit me dorë në zonë të Shametit. Por Ramadani pa që Koliçi të presë gjuajtjen e tij.

Atë që nuk bënë gjirokastritët e bënë futbollistët e Kukësit pas 1 minute me Eminin që mposhti portierin Miraka. Festa ishte e gjithë për tifozët e Kukësit që e mbyll fazën e parë të kampionatit me 17 pikë.

Top Channel