Ronaldo bën tripletë, Reali mund 4-1 Alaves

29/10/2016 00:00

Cristiano Ronaldo shkëlqeu në fitoren 4-1 që Real e arriti në transfertën ndaj Deportivo Alaves. Portugezi humbi një 11-metërsh, por realizoi 3 gola të tjerë duke zgjidhur pothuajse i vetëm ndeshjen.

Alaves, që këtë vit kishte mundur në “Camp Nou” Barcelonën, në minutat e para krijoi iluzionin e një tjetër suksesi të bujshëm kur arriti të shënojë që në të 7-n me anë të Deyverson.

Festa e vendasve zgjati vetëm 10 minuta, kur Ronaldo mendoi të niste shfaqjen personale fillimisht duke mos gabuar nga pika e bardhë.

Megjithatë Cristiano nuk mund të mjaftohej me vetëm një gol nga penalltia dhe në të 33-n realizoi pas një aksioni personal i ndihmuar dhe pak nga fati golin e 1-2.

Në pjesën e dytë në fushë ishte vetëm Reali dhe në të 79-n po Ronaldo pati mundësinë për të mbyllur ndeshjen po nga pika e penalltisë, por këtë herë gaboi.

Gjithsesi shpresat e Alaveshit për një rezultat pozitiv morën fund shpejt pasi në minutën e 84-t, Alvaro Morata shënoi dhe golin e 1-3, përpara se Ronaldo të mbyllte ndeshjen ashtu siç e hapi me golin e 1-4, që ishte dhe i treti personal.

Një fitore bindëse për “los blancos” që vazhdojnë të ruajnë kështu kreun e klasifikimit në Primerda Divizion.

Top Channel