Partizani-Skënderbeu në “Elbasan Arena”, policia publikon masat

29/10/2016 00:00

Policia e Elbasanit ka publikuar masat e marra për zhvillimin normal të ndeshjes kryesore të kësaj jave në kategorinë Superiore, Partizani-Skënderbeu, e cila do të zhvillohet ditën e diel në orën 17:00 në “Elbasan Arena”.

Policia bën të ditur se lidhur me këtë ndeshje do të jenë të angazhuar 265 forca policore nga Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan dhe komisariatet vartëse të saj.

Prej orës 15:00 të së dielës nuk do të lejohet parkimi i automjeteve përreth dhe përballë stadiumit. Nga kryqëzimi i rrugës së “Tapeteve” deri tek “Ish-Konservimi” nuk do të lejohet parkimi dhe qarkullimi i mjeteve.

Policia i tërheq vëmendjen tifozëve që do të jetë të pranishëm në stadium, të mos kenë me vete në stadium: sende të forta, shishe, fishekzjarrë, monedha metalike, çelësa, në të kundërt nuk do të lejohen të futen në stadium.

Gjithashtu, policia e Elbasanit bën të ditur se të gjitha lokalet që ndodhen, përreth stadiumit, nga ora  15:00 dhe deri në përfundim të ndeshjes, të marrin masa të jenë të mbyllura.

Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan i kërkon qytetarëve që të minimizojnë më datë 30 tetor lëvizjen e tyre me automjet brenda qytetit të Elbasanit, ç’ka do të  sillte një ndihmesë të madhe në zhvillimin sa më normal të këtij aktiviteti.

Top Channel