“Dua të të bëj të lumtur”

29/10/2016 00:00

“Dua të të bëj të lumtur” përvecse tingëllon bukur ka rreth vetes shumë energji pozitive. Programi me format origjinal të Top Channel, do të vijë përgjatë këtij sezoni në ekranin më të dashur për shqiptarët cdo të shtunë në orën 21.00.

“Dua të të bëj të lumtur” është një format origjinal i Top Channel, të cilin unë prej vitesh kam dashur shumë që ta realizoj dhe jam e lumtur që më në fund mu krijua kjo mundësi. Në qendër të tij janë histori njerëzore, histori të jashtëzakonshme, të trishta dhe të lumtura, të bukura”, bën të ditur Arbana Osmani, moderatore “Dua të të bëj të lumtur”.

Janë këto histori që rrëfehen nga njërëzit më të dashur të protagonistëve. Ato janë përzgjedhur me shumë kujdes nga stafi për të përcjellë sidomos reflektim për publikun, e për të krijuar një program të pëlqyeshëm.

“I kemi përzgjedhur ato histori të cilat kanë patur në qendër njerëz me vlera. Falë shumë historive kam nisur ta shoh shumë më ndryshe jetën dhe njerëzit rreth meje”, vijon Arbana.

Ky program ka parë përtej fasadës. Ka udhëtuar për të gjetur thelbin tek njerëzit. Botën e tyre komplekse me të bukurën dhe gjithcka mban brenda.

“Për këtë program kemi disa muaj që po punojmë, kemi xhiruar pothuajse në të gjithë Shqipërinë, kemi shkuar në vende të ndryshme jashtë Shqipërisë, kemi shëtitur botën për të bërë shqiptarët kudo që janë të lumtur. Këto shembuj frymëzimi kemi zgjedhur ti sjellim në këtë program”, thotë Arbana Osmani.

Stafi ka bërë një program që quhet “Dua të të bëj të lumtur”, por nga kjo eksperiencë edhe ata vetë janë bërë të lumtur.

“Është një frymë shumë e mirë në staf. Kemi patur kënaqësinë të punojmë me Alessia Grieco Vessiçhio që është një profesioniste prej shumë vitesh që me konsulencën e saj na ka ndihmuar jashtëzakonisht të bëjmë një program të mirë. Besoj që do t’i pëlqejë publikut”, rrëfen më tej moderatorja e “Dua të të bëj të lumtur”.

Programi që ka kapërcyer më shumë kufij se asnjë tjetër do të sjellë surpriza pa fund në ekran. Por mbi të gjitha dashuri dhe përkushtim.

Top Channel