NBA, Lakers e nisin sezonin me fitore (Video)

27/10/2016 00:00

Los Angeles Lakers e nis me një fitore epokën “post-Bryant”. Skuadra kaliforniane arriti të mposhtë në “Toyota Center” ekipin e Houston Rockets me rezultatin 120-114. Për teksanët nuk mjaftuan 34 pikët e James Harden për të evituar disfatën, ndërkohë që për Los Angeles Lakers, D’Angelo Russell ishte ai që spikati më shumë me 20 pikë të shënuara.

Oklahoma City i imponohet Philadelphias në “Wells Fargo Center”. Skuadra e Thunder e fitoi ndeshjen e saj të parë të sezonit të ri në NBA me rezultatin 103-97. Russell Westbrook ishte ai që mori përsipër të drejtojë skuadrën e tij drejt këtij suksesi me 32 pikë të shënuara, 12 topa në tabelë dhe 9 asist. Për Philadelphian, Joe Embiid shënoi 20 pikë, por që nuk e ndihmuan shumë skuadrën e 76ers për të kaluar Oklahomën.

Fitore shënoi edhe Memphis që triumfoi ndaj Minnesota në “FedEx Forum” me rezultatin 102-98. Skuadra e Grizzlies vuajti jo pak në këtë përballje ndaj Timberwolves dhe e fitoi ate me përmbysje. Conley me 24 pikë dhe Marc Gasol me 18 ishin ata që ndihmuan Memphis për të kaluar vështirësitë dhe për të mbyllur këtë sfidë me sukses.

Në ndeshjet e tjera të NBA, Miami Heat fitoi me Orlando Magic 108-96, Dallas Mavericks humbi ndaj Indiana Pacers 121-130, Toronto Raptors fitoi me Detroit Pistons 109-91, ndërsa Denver Nuggets mundi New Orleans Pelicans 107-102.

Top Channel