“Elbasan Arena” gati për Izraelin, në pritje të “Loro Boriçit”

27/10/2016 00:00

Optimizmi i rikuperimit të fushës së stadiumit “Loro Boriçi” brenda afatit për ndeshjen e radhës ndërkombëtare është shuar shumë shpejt.

Pavarësisht se kompania greke, e cila e ka montuar dhe ka sjellë tapetin e këtij stadiumi, ka deklaruar se gjithçka do të jetë gati për ndeshjen e 12 nëntorit, situata nuk paraqitet shumë e sigurt.

Inspektimi i fundit nga specialistët e huaj dhe të FSHF, ka ngjallur pasiguri, për këtë arsye gjithçka po bëhet gati për në “Elbasan Arena” paralelisht. Stadiumi në të cilin zhvillon ndeshjet e këtij sezoni Partizani, po mbahet nën vëzhgim për të qenë gati për zhvillimin edhe të ndeshjes Shqipëri-Izrael.

Për këtë arsye, Federata Shqiptare e Futbollit ka anuluar të gjitha ndeshjet që do të luheshin aty përveç Partizanit dhe Skënderbeut që është parashikuar të luhet këtë fundjavë.

Tirana, e cila rreth 3 ditë më parë kishte lidhur një kontratë me drejtorinë e këtij stadiumi për zhvillimin e ndeshjes së radhës aty, duke qenë se fusha e “Selman Stërmasit” është duke u rikuperuar, mbrëmjen e së enjtes është njoftuar për anulimin e marrëveshjes. Shkaku mbetet ruajtja e fushës për në kushte sa më optimale për ndeshjen e përfaqësueses sonë.

Nga ana tjetër, sa i përket kampionatit, skuadra bardheblu mbetet ende pa një fushë. Stadiumi “Selman Stërmasi” i shfrytëzuar veç ndeshjeve të kampionatit nga Tirana dhe Korabi, njëkohësisht është shfrytëzuar edhe nga FSHF për aktivitetet ndërkombëtare të ekipit kombëtarë të femrave dhe të kombëtares së moshave. Si rrjedhojë ka lindur nevoja për rimmbjelljen dhe lënien kohë për rikuperim tapetit të barit.

Kjo situatë e vështirë e fushave e ka shtyrë skuadrën bardheblu të jetë në kërkim të fushës për ndeshjen e radhës së Superiores ndaj Vllaznisë.

Nisur nga humbja e fundit me Luftëtarin në fushën jashtë çdo parametri në Peqin, trajneri Daja nuk ka ndërmend të zhvillojë ndeshjen e radhës në një fushë jo të mirë. Si opsion mbetet një fushë me tapet të mirë dhe më optimalja sa i përket parametrave sportiv të tapetit, mbetet stadiumi i Skënderbeut.

Pra Tirana me shumë mundësi ndeshjen e radhës do ta luajë në Korçë, në stadiumin Skënderbeu përballë Vllaznisë edhe pse ende nuk është marrë vendimi përfundimtarë, pasi opsion është edhe fusha e stadiumit të Fierit. 

Top Channel