Surpriza në Kupën e Shqipërisë, munden Skënderbeu dhe Partizani

26/10/2016 00:00

Janë luajtur sot ndeshjet e para të raundit të dytë të Kupës së Shqipërisë. Kampionët e Skënderbeut kanë befasuar duke u mundur në Fier nga Apolonia me rezultatin 2-1.

Myrto Uzuni dhe Dimo ishin autorët e golave për skuadrën vendase, ndërkohë që Xhejms zbuti këtë humbje të korçarëve që pavarësisht këtij rezultati mbeten në lojë për kualifikimin e mëtejshëm.

Një humbje të papritur në këtë fazë ka marrë edhe Partizani 1-0 ndaj Beslidhjes në Lezhë. Kjo disfatë e parë nën drejtimin e Sulejman Starovës erdhi nga goli i vetëm i ndeshjes që u shënua nga Goxhaj në pjesën e dytë, ndërkohë që më herët Mazrekaj kishte humbur një 11-metërsh pasi goditi shtyllën.

Tirana është hakmarrë ndaj Luftëtarit në kupë për humbjen e parë që i shkaktoi në kampionat fundjavën e shkuar.

Bardheblutë shkatërruan 4-1 skuadrën gjirokastrite në një ndeshje të zhvilluar në stadiumin e Lushnjes “Roza Haxhiu”. Në fillim sërish Luftëtari kalon në avantazh me Zogajn, por më pas barazon Nika dhe Sise, sulmuesi i ri i Tiranës ka shënuar 3 gola duke përmbysur gjithçka.

Kukësi nuk gabon përballë Dinamos, të cilën e ka mundur 2-0 duke u konsideruar me një këmbë në raundin tjetër pas kësaj ndeshjeje. Skuadra e Gjokës fiton falë golave të Grecës dhe Eminit. Në ndeshjet e tjera, Bylisi barazon me Laçin 1-1, Kastrioti mund Teutën 2-1, ndërkohë që Vllaznia ka mundur Kamzën 2-0.

Top Channel