F1, Hamilton beson ende te titulli. Rosberg, me sytë nga Meksika

24/10/2016 00:00

Lewis Hamilton i gëzohet jashtë mase fitores në Austin të Shteteve të Bashkuara, e katërta për të në 5 gara të zhvilluara në këtë pistë. Suksesi i fundjavës e bën britanikun të besojë ende dhe të mos dorëzohet në luftën për titullin botëror për pilotë.

“Ajo që mund të bëj tani është vetëm të jap maksimumin tim, – tha Hamilton pas përfundimit të garës. – Rosberg zhvilloi një tjetër garë të shkëlqyer, por beteja do të vazhdojë. Do të luftoj deri në fund për titullin. Austin ka qenë gjithnjë një pistë shumë e mirë për mua. U jam mirënjohës të gjithëve në skuadër dhe jam krenar që jam pjesë e saj”.

Nico Rosberg u shpreh i kënaqur me vendin e dytë në këtë garë, që për të ka një vlerë shumë të madhe, pasi në Meksikë gjermani do të kërkojë të mbyllë të gjitha llogaritë e këtij kampionati.

“Humba jo pak terren në nisjen e garës dhe bëra gjithçka munda për ta rifituar. Vendi i dytë është i mirë për mua, kufizova dëmet. Nuk dhashë maksimumin në këtë garë. Doja të fitoja, por ky Çmim i Madh nuk kishte histori”, tha Rosberg.

Top Channel