Një quiz show jo i zakonshëm, “Të gjithë për një”, vjen mbrëmjen e së martës premierë në ekranin e Top Channel, për të ndërthurur kureshtjen me nostalgjinë e bankave të shkollës.

Nën moderimin e Eno Popit, ky prodhim unik i jep mundësinë çdokujt të fitojë para me kushtin që të provojë se është më inteligjent se një nxënës i 9-vjeçares.

“Pyetjet janë gjëja më e bukur e këtij quizi, që do të thotë që ne i kemi bazuar nga klasa e parë deri në klasën e nëntë”, thotë Denard Xhillari, producent.

Çdo të martë në oren 20:45 ky format do të shoqërojë, argëtojë dhe edukojë të gjithë teleshikuesit përgjatë një sezoni të plotë televiziv.

“Thelbësisht mbetet një game show, kështu që është një sfidë me veten, por edhe e bukur që gjithsecili do ta provojë me veten nga shtëpia me ca dije thelbësore dhe bazike, siç janë ato të 9-vjeçares ja del dot që të çojë në shtëpi milionë?”, thotë moderatori Eno Popi.

Në të vërtetë një i rritur a i mban mend mësimet e 9-vjeçares? Por edhe sikur jo, në këtë show konkurrenti nuk luan kundër fëmijëve, por janë fëmijët që e ndihmojnë atë t’u përgjigjet saktë pyetjeve përgjatë lojës.

Pjesë thelbësore e “Të gjithë për një” janë pesë fëmijët të përhershëm protagonistë të moshave 9-14 vjeç të përzgjdhur me kriterin e rezultateve të shkëlqyera në shkollë, por edhe natyrshmërinë skenikë.

“Të gjithë për një” nuk është vetëm mundësia për të fituar para, por për të parë një risi në ekranet shqiptare.

“Kur të na shohin të martën e parë, të gjithë do të binden që kanë mundësi të fitojnë”, thotë producenti i emisionit.

Top Channel