Kriza e Interit, Southampton, provimi i zikaltërve

18/10/2016 00:00

Çështja Icardi e ka vendosur përkohësisht në plan të dytë krizën sportive të Interit. Pas 8 javëve kampionat zikaltrit ndodhen larg vendeve të para në renditje, ndërkohë që në Europa League kanë pësuar 2 humbje duke ngritur jo pak pikëpyetje për vazhdueshmërinë e tyre në këtë kompeticion. Kjo situatë ia ka tronditur jo pak pozitat trajnerit De Boer, të cilit i duhet të gjejë mënyrën për të bërë kthesën e skuadrës së tij në këtë sezon.

Trajneri holandez duket se po has vështirësi në komunikimin me futbollistët të cilët ose nuk janë në gjendje që të reagojnë ndaj kërkesave të tij, ose nuk marrin shtysën e duhur për të dhënë maksimumin edhe ndaj skuadrave të ashtuquajtura të vogla si ato të Europa League. Fitorja me Juventusin ishte një përjashtim që konfirmoi rregullin. Sepse nuk është i nevojshëm motivimi i trajnerit për të luajtur ndaj një skuadre si Juventusi.

U mendua që pas sfidës me bardhezinjtë, Interi do të shpërthente, por rezultoi se ajo fitore ishte një rastësi. Tashmë ajo që duhet bere është ndryshimi i situatës dhe gjithçka duhet të fillojë që me sfidën e së enjtes ndaj Southampton-it në Europa League, në rast të kundërt, për De Boer situata do të komplikohet akoma më shumë.

Top Channel