Ultrasit e Interit, “vizitë” në shtëpinë e Icardit

17/10/2016 00:00

Pas polemikave, vërshëllimave, ofendimeve, 11-metërshit të humbur dhe disfatës ndaj Cagliarit, kthimi në shtëpi i Mauro Icardit nuk mund të ishte i mirë. Përpara banesës së tij, 40 tifozë zikaltër kanë vendosur një parrullë kërcënuese.

“Ne jemi këtu, kur të vijnë miqtë e tu argjentinas do të na lajmërosh, apo do e bësh si frikacakët…?” Një parrullë që ka lidhje me gjërat që janë shkruar në autobiografinë e kapitenit të Interit, të cilit i është kërkuar nga ultrasit që të mos mbajë më shiritin e kapitenit dhe është quajtur “palaço”.

Por, nga lindi kjo parrullë? Nga radhët e biografisë së argjentinasit, ku tregohen prapaskenat e zënkës së tij me tifozët pas ndeshjes Sassuolo-Inter të shkurtit 2015. Pas kërcënimeve nga ultrasit, Icardi është përgjigjur: “Jam gati t’i dal përballë secilit prej tyre. Ndoshta nuk e dinë që jam rritur në një nga lagjet më të rrezikshme argjentinase. Sa janë? 50, 100, 200? Në rregull, do të sjell 100 kriminelë nga Argjentina që do i vrasin në vend”.

Duket se ultrasit e kanë vënë vëth në vesh këtë frazë dhe janë gati për “sfidën”.

Top Channel