Mafia “fut hundët” në trekëndëshin “Maxi-Icardi-Wanda”

16/10/2016 00:00

Maxi Lopez, Mauro Icardi dhe Wanda Nara janë bërë vitet e fundit protagonistët e një trekëndëshi aspak të lakmueshëm, në një përzierje futbolli dhe tradhtie mes dy shokëve, që tashmë nuk janë më miq. Dy sulmuesit dhe modelja argjentinase, që në fillim u martua me Lopezin e tashmë është në krahët e sulmuesit të Interit, kanë qenë edhe subjekt i mafias.

Gazetari Carlos Monti ka ngritur një valë polemikash me afirmimin e tij se, mafia siçiliane u ofrua për të dhunuar dhe për të shantazhuar Mauro Icardin, si hakmarrje për tradhtinë ndaj futbollistit tjetër. Çështja e kthyer në telenovelë mes sulmuesit të Torinos dhe atij të Interit dhuron thuajse çdo muaj kapituj të rinj.

Në programin “Bien Arriba” në “Radio 10”, gazetari Carlos Monti tha se disa mafiozë u ofruan për të goditur Icardin, por Maxi Lopez refuzoi të bëhej pjesë e ngjarjes kriminale. Grupi mafioz, sidoqoftë, la kontaktet në makinën e sulmuesit argjentinas, por fatmirësisht çështja mbeti aty.

Replika e gruas më të përfolur të trekëndëshit të tradhtisë, që është edhe agjentja e sulmuesit Icardi, nuk vonoi duke mohuar gjithçka në lidhje me mafian.

Mauro Icardi, sipas mediave mbetet jashtë kombëtares së Argjentinës, pikërisht pas sjelljes aspak morale ndaj një kolegu, që së fundmi flitet se ka sjellë edhe veton e Lionel Messit për të mos e pasur në kombëtaren argjentinase.

Top Channel