Barça rikuperon Messi-n. Ronaldo…nervoz

14/10/2016 00:00

Në vigjiljen e një përballjeje delikate kundër La Coruna-s, Barcelona ka arritur të rikuperojë futbollistin më të vlefshëm të saj për kalendarin e programuar këtë fundjavë në La Liga.

Trajneri Luis Enrique nuk priste që Lionel Messi të ishte i disponueshëm në kampionatin spanjoll pas mungesës me kombëtaren, por mjekët kanë dhënë “OK” dhe dëshira e argjentinasit me të gjitha gjasat do ta bëjnë të jetë titullar.

“Lajmi më i mirë i kësaj jave është që kemi rikuperuar dy futbollistë të rëndësishëm si Lionel Messi dhe Umtiti. Kur rikthehesh nga një dëmtim serioz është e rëndësishme të akumulosh minuta lojë në këmbë dhe do të flas me dy futbollistët për të vendosur çfarë të bëj. Por sidoqoftë ata do të luajnë pasi janë të disponueshëm”, tha trajneri i skuadrës “blaugrana”.

Për të mbetur në ritmin e kryesuesve të Atletico-s, Luis Enrique ka lënë të kuptojë se nuk pranon më gabime nga skuadra e tij. Rikthimi i Lionel Messi-t vjen me një tempizëm perfekt që do të ndikojë edhe në ecurinë e ekipit. Në këtë sezon, talenti argjentinas ka luajtur shumë pak me Neymar dhe Suarez e gjithë kjo për shkak të dëmtimeve.

Por nëse te Barcelona atmosfera është optimale, te Reali është cenuar disi nga nervozizmi në stërvitjen e fundit, me protagonist Ronaldo-n.

Portugezi përfundoi në qendrën e një ushtrimi mes shokëve që e kaluan topin për 20 herë radhazi, me Cristiano-n pa mundur që ta prekte. Në fund Ronaldo shkelmoi topin te tribuna e gazetarëve, duke i thënë se tashmë kishin material që të shkruanin për dy ditë.

Top Channel