Skënderbeu dhe Tirana, fitojnë në limite

12/10/2016 00:00

Mesjavë fitoresh dramatike në kategorinë Superiore me 2 nga 4 ndeshje të luajtura këtë të mërkurë që u vendosën vetëm në limitin e fërshëllimës nga arbitri.

Skënderbeu kampion në fuqi vuajti më shumë se parashikimi kundër Teutës pasi formacioni durrsak u zbulua një fortesë e pamposhtur deri në minutën e 95.

Avancimet e Ujqërve të Dëborës ishin prapsur nga Djemtë e Detit për shumicën e sfidës së Korçës, por kur arbitri dha 4 minuta shtesë, goli erdhi me kohën mbi limit që kishte përfunduar, pas një goditje me kokë nga Nimaga që ishte harruar nga mbrojtja.

E njëjta adrenalinë edhe në stadiumin Selman Stërmasi ku Tirana që ishte teknikisht vizitore në stadiumin e saj, fitoi në limite ndaj Korabit 0-1. Përballja mes dibranëve dhe ekipit kryeqytetas u rezervua e fortë dhe pavarësisht rasteve, barazimi i bardhë mbretëroi deri në shtesë. Një neglizhencë e Korabit në prapavijë, solli më pas golin me kokë të Gjergji Muzakës, që vendos bardheblutë në vendin e dytë.

Në të njëjtën kuotë pikësh ndodhet edhe Kukësi që barazoi ën Vlorë ndaj Flamurtarit 1-1. Avantazhit të kuqezinjve me Berishën, iu përgjigj i zakonshmi për verilindorët. Kroati Pero Pejiç fiksoi barazimin, edhe pse Kukësi luajti për mbi një orë, në inferioritet numerik.

Sfida mes Luftëtarit dhe Vllaznisë u mbyll 1-1 me golat e Abazaj dhe Shtubina.

Java e gjashtë e Superiores ul siparin me sfidën e së enjtes Laçi Partizani.

Top Channel