Gjykata e Lartë zbut masën ndaj Elvis Roshit

12/10/2016 14:00

Kryebashiaku i Kavajës, Elvis Roshi nuk do të qëndrojë më nën arrest shtëpiak, por është i detyruar të paraqitet të hënën e parë të çdo muaji pranë oficerëve të Policisë Gjyqësore derisa prokuroria t’u japë drejtim hetimeve të nisura ndaj tij.

Vendimi që ndryshoi masën e sigurisë u dha nga Gjykata e Lartë, e cila shqyrtoi masën e sigurisë të shpallur gjatë korrikut nga Apeli, ku ishte vendosur arresti shtëpiak. Çështja e arrestimit të tij, e përmendur më herët edhe nga misioni PAMECA, ku edhe kritikohej puna e prokurorisë, nuk u komentua nga mbrojtja.

Kryebashkiaku i Kavajës është nën hetim sipas ligjit të dekriminalizimit për falsifikim të formularit të vetëdeklarimit. Prokuroria pretendon se Roshi ka fshehur dënimet në Zvicër dhe Itali, ku, sipas informacioneve, dyshohet se zyrtari ka përdorur pesë emra të ndryshëm. Më herët, ai përfitoi ndryshimin e masës arrest me burg nga gjykatat për shkaqe familjare, ndërkohë që Gjykata e Lartë, thanë burimet, e zbuti masën pasi nuk ekzistojnë dyshimet e arsyeshme të mbështetura në prova, sipas të cilave, Roshi duhet të qëndrojë në masë shtrënguese sikurse është arresti shtëpiak.

Top Channel