Spanja, kundërshtari që të mund. Notat e kuqezinjve

09/10/2016 00:00

Që Spanja të mund kjo nuk ka diskutim, por mënyra si të mund është tjetër diskutim. Spanja të imponohet me atë lojën torturuese që të shtyn të mendosh që futbolli duhet të ndryshojë e të mos luhet me një top.

Kanë shumë klas në lojën me top, janë shumë agresivë në presingun e lartë që bëjnë dhe të duruar kur skuadrat provojnë të luajnë me autobusin e parkuar te vija e portës.

Këtë tentoi të bënte De Biasi, të paktën në mendjen e tij, sepse jo çdo ide e trajnerit mund të zbatohet me përpikmëri nga futbollistët. 

55 minuta është një rezistencë e mirë për një skuadër si Shqipëria, edhe kur qarkullimi i topit nga Spanja shkoi 75%.                         

Që të vendosësh nota për këtë ndeshje padyshim që shumë situata duhen përshkruar me rezerva.

Porta 5: Nëse nuk do gabonte te goli i parë Berisha mund të ishte kandidat për notën më të lartë. Në ato raste që u thirr në apel tregoi vigjelencën dhe reflekset e duhura

Mbrojtja 5.5: Diferencën e bënë Mavraj dhe Gjimshiti, shumë të saktë në ndërhyrje dhe në koordinim me njëri-tjetrin. Nga këmbët e tyre u larguan shumë topa, por barriera përpara tyre filtronte shumë topa. Mirë në pjesën e parë dhe Hysaj që ishte i vetmi që tentonte të shtynte në korsinë e djathtë. Agolli dukej si një ishull ku përplasin dallgët Vitolo në fillim e David Silva më vonë

 

Mesfusha 4.5: Është e qartë që detyra parësore ka qenë mbrojtja, por gabimet erdhën nga ky repart. E kërkuan pak topin dhe nuk zhvilluan veprime për ta nxjerrë skuadrën asnjëherë përtej vijës së mesit të fushës. Lila i mbërthyer pas fanellës së Iniestës, Xhaka i rraskapitur pas topit dhe Memushaj që nuk e gjente dot kundërshtarin. Nga krahët Roshi pati disa shpërthime sporadike, por Hysaj e mbante të tërhequr pas fanelle me frikën se mos mbeten vetëm. Lenjani u kuptua që ishte në fushë vetëm kur u zëvendësua.

Sulmi 4: Nuk mund te thuhet se ekzistonte sulmi, pasi vetëm me 3 momente që kaluam më shumë se 10 metra përtej gjysmëfushës tonë nuk kishte pika kontakti.

Trajneri 5: U dorëzua që në konferencën për shtyp dhe optimizmi i vetëm ishte të arrinte të gjente autobusin. Guximi do të ishte i tepërt, por prania e Kukelit dhe Abrashit mund te sillnin tjetër lojë në mesfushë. Spanja nuk është ekipi që mund ta zbërthejë, e sigurisht të përshtatë skuadrën. Me shumë siguri dhe nga kjo humbje ka çfarë t’i mësojë skuadrës.

Spanja të mund, por nuk do të thotë qe pas kësaj humbje nuk do te luajmë më futboll. Ky është një mësim që nuk na ka kaluar në duar në erën De Biasi. Eliminatoret janë në fillimin e tyre dhe ne jemi ende në vendin e tretë. Për momentin.

Top Channel