Mungojnë mjetet për transportin e të paraburgosurve, fluksi sjell edhe vonesat në gjykata

08/10/2016 00:00

Dërgimi i të paraburgosurve apo të dënuarve në gjykatat e vendit, është çdo ditë një sfidë më vete për grupet operacionale të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.

Numri i kërkesave të larta ditore nga gjykatat e vendit për të shoqëruar të ndaluarit është në përpjestim të zhdrejtë me efektivët e grupeve operacionale dhe mjetet e tyre dhe për rrjedhojë janë vërejtur vonesa dhe mosplotësim në kohë të kërkesave të gjykatave.

Shefi i sallës operative dhe emergjencave në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve, Genc Fejzollari, tregon për Top Channel se situata mund të përmirësohet nëse minimalisht grupet operacionale do të pajiseshin me mjete shtesë për transportin.

“Aktualisht në të gjithë sistemin e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve mjetet janë të amortizuara. Pra, lind domosdoshmëria e pajisjes së këtyre institucioneve me mjete të reja”, deklaroi Fejzollari.

Përveç mangësive në njerëz dhe logjistikë, Fejzollari tregon se jo në pak raste vonesat shkaktohen edhe nga kërkesat e menjëhershme të gjykatave për shoqërimin e të ndaluarve, në një kohë kur rregullorja e do të paktën 24 orë para orës së seancës gjyqësore.

“Kemi patur raste që kërkesat e gjykatës kanë ardhur 12 orë para seancës, gjë që është e pamundur pasi ne kemi një rregullore për të zbatuar në transportin e të ndaluarve dhe këto të fundit jo gjithmonë janë pranë vendit ku zhvillohet seanca”, vijon Fejzollari.

Përveç shoqërimit, grupet operacionale të burgjeve kujdesen edhe për ruajtjen e rendit dhe sigurisë në gjykata dhe gjatë zhvillimit të seancave gjyqësore.

Top Channel