Reanimacioni është vendi ku të sëmurët ekstremë duhet të shërohen. Por në këtë repart të spitalit të burgut, të sëmurët i presin vuajtje shtesë.

Remzi Demirit i kanë mbetur vetëm dy vjet nga dënimi. Por sëmundja e pashërueshme nga e cila vuan, mund t’ja kthejë këtë në dënim me vdekje.

“Kur të shkoj në shtëpi le të vdes, që të mos i ngelë barra gocave që baba vdiq në burg”, shprehet Remzi Demiri.

Por që Remzi Demiri të përfitojë nga lirimi për arsye shëndetësore ligjërisht i duhet të presë edhe dy muaj, por sëmundja nga e cila vuan, sipas mjekëve të burgu mund të jetë më e shpejtë se kaq. Në qershor, në pritje të një vendimi të ngjashëm, një të burgosuri vdekja i erdhi më shpejt sesa leja që i dha gjykata.

Situata është rënduar edhe nga mbipopullimi për shkak të mjekimit të detyrueshëm për 69 të dënuar që ka vendosur gjykata.

“Spitali i burgut ka një kapacitet prej 99 shtretërish, por aktualisht të sëmurë kemi 114. Nga këta 69 janë me mjekim të detyruar për shkak të vendimeve që vijnë nga gjykatat. Kemi të sëmurë në gjendje të rëndë shëndetësore, të cilët i mbajmë këtu, pasi ligji nuk na e lejon t’i drejtohemi gjykatave”, shprehet Sonila Prifti, drejtoreshë e spitalit të burgut.

Në spitalin e burgut, njerëzit që mbahen për shkaqe shëndetësore duhet të përballen përveç sëmundjes edhe me kushte të vështira, siç është lagështira dhe rrjeti hidraulik dhe energjetik komplet i amortizuar.

“Infeksioni është rrezik edhe për institucionet e tjera. Të forta janë këta të personelit që vijnë punojmë këtu, por të fortë jemi edhe ne”, Pëllumb Rama, i dënuar.

Dhjetëra kërkesat e autoriteteve të burgjeve drejtuar ministrit të Drejtësisë, të Shëndetësisë nuk kanë marrë deri tani asnjë përgjigje.

TCH: Çfarë mungon këtu, çfarë nuk ka që është jetike?

Elidon Lazaj: Çtë them unë, ti e pe vet…

Në fakt askush tani në spitalin e burgut s’ka nevojë të thotë më asgjë. Ata që duhet te flasin, ministrat dhe autoritetet për momentin kanë reaguar vetëm me heshtje.

Top Channel