
Julen Lopetegui grumbullon një tjetër futbollist në skuadër për ndeshjet që Spanja do të luajë ndaj Italisë dhe Shqipërisë për eliminatoret e Botërorit 2018. Pasi vendosi të marrë nën urdhrat e tij Inigo Martinez për të zëvendësuar Javi Martinez të dëmtuar, Lopetegui thirri edhe Ander Herrera-n, për të marrë vendin e Saul, i cili duket se pati probleme fizike.
Fillimisht Federata Spanjolle e Futbollit mendoi që të mos e zëvendësonte futbollistin e Atletico Madrid, por duket se gjërat ndryshuan duke parë se Saul nuk mori pjesë në stërvitjen e së hënës edhe pse për momentin është ende në grumbullim.
Për Ander Herrera-n kjo është hera e parë që bëhet pjesë e Kombëtares A të Spanjës. Lopetegui e njeh shumë mirë këtë futbollist pasi e ka pasur nën urdhrat e tij në periudhën kur drejtoi skuadrën e U21.
Top Channel