Rakitic humb sfidën ndaj Kosovës

03/10/2016 00:00

Kanë nisur të shtohen mungesat e rëndësishme në kombëtaren kroate të futbollit në vigjiljen e kualifikueseve për Botërorin 2018. Pas Dejan Lovren dhe mesfushorit influencues Luka Modric, tekniku i seleksionit nga Dalmacia duhet të bëjë llogaritë edhe pa Ivan Rakitic, pasi futbollisti i Barcelonës nuk është rikuperuar nga dëmtimi.

Sfida në stadiumin “Loro Boriçi” ndaj Kosovës dhe më pas impenjimi me Finlandën projektojnë favoritët e grupit të paktën në letër në kuotën e 9 pikëve.

“Ivan Rakitic është i dëmtuar dhe për shkak të një problemi me tendinën e Akilit, nuk u aktivizua as me Barcelonën. Në vend të tij ne kemi grumbulluar kapitenin e Dinamos, Domagoj Antolic. Ndërkohë Luka Modric është operuar dhe ne shpresojmë që ai do të kthehet sa më shpejt në fushat e lojës. Lovren nuk pati nevojë për ndërhyrje por ne gjithsesi jemi të mbuluar”, tha trajneri i Kroacisë, Ante Cacic.
 
Ai rezervoi disa fjalë edhe për kundërshtarin e ardhshëm të 6 tetorit në kualifikueset e Botërorit.

“Kemi ende 3 stërvitje para ndeshjes dhe formacionin do ta vendos vetëm në fund. Vlerësojmë kualitetin e Kosovës dhe Finlandës por synojmë 6 pikë. Ndaj Kosovës na pret një atmosferë elektrizuese dhe shpresoj se do kalojmë vështirësitë, në mënyrë që të kemi klimën e duhur për udhëtimin në Finlandë. respekt për të dy ekipet por nuk kërkojmë asnjë alibi”, tha trajneri i Kroacisë.

Top Channel