Niang, mes dy zjarreve: Të zgjedhë Francën ku është lindur, apo Senegalin e origjinës

02/10/2016 00:00

Çështja e zgjedhjes së kombëtares është rikthyer sërish në diskutim në futbollin europian, këtë herë me protagonist sulmuesin e Milanit, M’Baye Niang. Lojtari, i cili është lindur në Molan-On-Ivlin në Francë, po konsiderohet nga trajneri Didier Deschamps si një emër që mund të garantojë kualitet në repartin sulmues.

Por, origjina e Niangut dhe kushtrimi për të përfaqësuar Senegalin nuk është i lehtë sa të refuzohet, e në mes të këtij zjarri kanë nisur të flasin të tjerë në vend të sulmuesit. Ish-futbollisti senegalez, Diomansi Kamara e cilësoi M’Bayenë si të padenjë për të veshur fanellën e kombëtares afrikane.

“Neve na duhen njerëz që e vlerësojnë fanellën dhe që e ndiejnë me zemër, e jo disa që njëherë zgjohen dhe thonë do luaj me Francën, e një herë me Senegalin”, tha Kamara për sulmuesin e Milanit.

Në mbrojtje të futbollistit afrikan doli agjenti i tij, që gjithsesi nuk e sqaroi zgjedhjen e Niang.

“Ai është krenar për përfaqësimin e dy kulturave dhe vendosja e kombëtares nuk është një zgjedhje e lehtë. Prej kohësh po orkestrohen sulme ndaj Niangut, që është një qytetar francez me origjinë senegaleze. Krahasimi i dashurisë për Senegalin me orientimin sportiv është diçka e dënueshme”, tha agjenti i Niang.

Ky nuk është rasti i parë, e me të gjitha gjasat as i fundit, te Franca e mësuar me çështjen e dykombësisë. Pak vite më parë u zbuluan madje kuota në bazë të racës për të ndikuar te trajnerët në përzgjedhjet e tyre.

Top Channel