Në qendrën e mbarështimit të pandave gjigande në Chengdu të Kinës, 23 këlyshë bënë prezantimin e tyre në shoqëri përpara ditës kombëtare të Kinës.

Të vegjlit e moshave nga një deri në katër muajsh ishin shtrirë në bark dhe ndonjëri prej tyre bënte përpjekje për t’u spostuar disa centimetra më tutje.

Qendra këtë vit ka regjistruar thuajse dyfishin e numrit të pandave të porsalindur, një tjetër lajm i mirë ky pas vendimit të unionit ndërkombëtar të mbrojtjes së natyrës në fillim të shtatorit për t`i hequr arinjtë e mëdhenj bardhë e zi nga lista e specieve  “të rrezikuara”.

Në vend të kësaj, kafshët paqësore janë kaluar në një kategori tjetër, atë të “species së cënueshme”.  Kjo që ndodhi me pandat, do të shprehej atëherë drejtori i përgjithshëm i Fondit Botëror për natyrën WWF, Marco Lambertini, tregon se kur shkenca, vullneti politik dhe komunitetet lokale bashkojnë forcat, jeta e egër mund të shpëtohet  e biodiversiteti ka shprese për përmirësim.

Kina e ndaloi me ligj në 1981-shin tregtinë me lëkurën e pandave dhe shtatë vjet më pas, aktivizoi ligjin e mbrojtjes së jetës së egër, i cili i jepte statusin më të lartë të mbrojtjes këtij gjitari të adhuruar sidomos  në jugun e vendit.

Top Channel