Njëri prej dy luanëve që ia kishin mbathur nga kafazët e kopshtit zoologjik të Lajpcigut në Gjermani është qëlluar për vdekje, pasi përpjekjet për të përdorur qetësuesit dështuan.

Luanët, të dy të gjinisë mashkullore, Majo dhe Motshegetsi, dolën nga kafazi dhe kapërcyen një kanal rreth orës 8:40 të mëngjesit të sotëm, përpara se kopshti zoologjik të hapej për vizitorët si çdo ditë. Ata u gjetën më pas në një gëmushë në një gjendje tepër shqetësuese.

Edhe pse njëri prej tyre u dërgua sërish mbrapsht në kafazin e tij, tjetri mbeti në gjendje agjitative dhe e vetmja mundësi ishte të qëllohej për vdekje.

“Ky është një fund tepër i trishtë, të cilin nuk do ta doja kurrë për atë (luanin)”, tha drejtori i kopshtit zoologjik, Joerg Junhold. “Por në të tilla raste, siguria personale e stafit dhe e njerëzve të tjerë ishte prioritare”.

Dy kafshët, të njohur edhe si luanët Etosha, pasi vinin nga një zonë me këtë emër nga Namibia, mbërritën në kopshtin zoologjik të Lajpcigut muajin e kaluar, kur u transferuan nga Bazeli i Zvicrës.

Luanët u gjetën vetëm pak më larg nga kafazët ku qëndronin të mbyllur, e pas kësaj rreth 40 kopshtarë i rrethuan me automjete të posaçme, në përpjekje për t’i nxitur ata të ktheheshin mbrapsht. Ata ia dolën mbanë të kthenin njërin prej tyre pas rreth 3 orësh, me ndihmën e një rrjete gardhi, ndërsa tjetri kaloi në një gjendje tepër kritike pasi kopshtarët u përpoqën ta qetësonin.

Mediat lokale thonë se Majo është ai që shpëtoi, ndërsa luani Motshegetsi mbeti i vrarë. Kafazët e luanëve ndodhen në kopshtin zoologjik prej 15 vitesh, sipas asaj që thotë drejtori. Deri më tani nuk ka pasur asnjë problem me to, por tashmë është e nevojshme të rishihet siguria në këtë kopsht zoologjik.

Shumë njerëz të interesuar për vizitë në kopshtin në fjalë u mblodhën përpara hyrjes, por nuk mundën të bënin gjë, pasi kopshti mbeti i mbyllur përgjatë pjesës më të madhe të ditës për shkak të arratisë së luanëve.

Hera e fundit që një luan ishte arratisur nga kafazët në Lajpcig ka qenë në vitin 1913, duke shkaktuar edhe një kërkim masiv, që përfundoi me vrasjen e 6 luanëve të arratisur, raporton “Leipziger Volkszeitung”.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta